Fushë-Kosova pjesë e rrjetit 'Kujdesi Shëndetësor i Qasshhëm dhe Cilësor'

Fushë KosovëPostuar: 11:25 / 06.04.2017

Ky projekt përfshin 12 Komuna të Kosovës. Komuna e Fushë-Kosovës është njëra nga komunat përfituese. Projekti ka për synim ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore të Kujdesit Parësor Shëndetësor. Faza e parë e këtij projekti ka filluar më 2016 dhe zgjat deri më 2019.

Në takim ishin prezentë zonj. Debra Stevenson - Udhëheqëse e ekipit të projektit AQH, Dr. Qamile Ramadani - anëtare e ekipit udhëheqës të projektit AQH, zonj. Mimoza Kolshi - Drejtore e DSHMS Fushë-Kosovë dhe Dr. Osman Maxhera - Drejtor i QKMF Fushë-Kosovë.
Zonja Debra Stevenson e njoftoi Kryetarin e Komunës z. Burim Berisha për aktivitetet e zhvilluara deri më tani dhe planet në vijim. Ajo theksoi se janë zhvilluar disa trajnime pë stafin menaxhues të DSHMS-së dhe QKMF-së, janë përkrahur financiarisht projektet për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe se është duke u realizuar ‘Projekti i furnizimit me pajisje medicinale të QKMF-ve, duke u bazuar në nevojat aktuale’.

Kryetari i Komunës, z. Burim Berisha, pasi falënderoi ekipin e AQH për përkrahjen, potencoi disa specifika të Komunës së Fushë-Kosvës, në këtë rast ai njoftoi mysafirët për përkushtimin e tij që shëndetësia të trajtohet me prioritet si dhe aktivitetet e tri viteve të fundit në këtë drejtim.

Po ashtu, kryetari premtoi se ekipi i projektit AQH do të ketë përkrahjen pa rezervë në arritjen e qëllimeve të këtij projekti dhe theksoi se është i bindur që në fund të këtij projekti përfitimin më të madh do ta kenë qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës.

/InfoKomuna/