Mbahet dëgjimi i parë publik me qytetarë, prezantohen 70 projekte

Fushë KosovëPostuar: 13:02 / 07.07.2017

Këto publikime u prezantuan gjatë dëgjimit të parë publik me qytetarë, rreth ‘Planit të buxhetit 2018-2020’, të mbajtur në objektin e Komunës së Fushë-Kosovës.

Përveç qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës, të pranishëm në këtë dëgjim pubklik ishin: përfaqësuesë të OSBE-së, organizata joqeveritare, asamblistë të Kuvendit të Komunës.
Ramadan Jashanica, Drejtor i Financave dhe Buxhetit në Komunën e Fushë-Kosovës, tha se përpjekjet e Komunës së Fushë-Kosovës do të vazhdojnë në përmbushjen e nevojave te qytetarëve në të gjitha sferat e mundshme (asfaltime, kanalizime, ndriçime publike, ndërtim të shtëpive për rastet sociale, palestra sportive, etj.).

“Janë gjithsej 70 projekte të cilat pritet që të realizohen brenda kësaj periudhe kohore, e që janë projekte dhe investime të cilat u interesojnë qytetarëve për ta ditur se nga po shkojnë investimet. Këto janë projekte të cilat janë bazuar në kërkesat e qytetarëve të Komunës së Fushë-Kosovës dhe si prioritet kryesor i kemi projektet e lartpërmendura të cilat do të realizohen në fshatra dhe qytet”, tha Jashanica në këtë dëgjim publik.

Në këtë dëgjim publik ishte edhe Shefi i Planifikimit të Buxhetit z. Bardhyl Koiçiçi, i cili para të pranishmëve prezantoi projektet kapitale në versionin analititk.
Drejtori i Financave dhe Buxhetit u tha të pranishmëve se shumë kërkesa tuaja që po parashtrohen në këtë takim, janë planifikuar dhe janë në realizim e sipër. Kërkesat tjera, të cilat vijnë nga ky dëgjim publik dhe nga dy dëgjimet tjera publike të ardhshme, do të inkorporohen në tabelën buxhetore për investime kapitale për vitin 2018.

Dëgjimi i dytë publik do të jetë më: 28.07.2017 ndërsa dëgjimi i tretë më: 25.08.2017 nga ora 10, njoftime këto për të cilat do të keni mundësi të informoheni me kohë përmes faqes zyrtare të Komunës së Fushë-Kosovës.
/InfoKomuna/