Shpërndahen kompostuesit e parë në fshatrat e Fushë-Kosovës
Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti me impakt mjedisor është Zvogëlimi i sasisë së mbeturinave komunale përmes implementimit të kompostimit shtëpiak në nivel lokal në Komunën e Fushë-Kosovës, duke synuar në këtë mënyrë:
- Zvogëlimin e sasisë totale të mbeturinave të gjeneruara në zonën pilot;
- Profit ekonomik për përdoruesit e kompostimit përmes prodhimit të plehut organik;
- Edukim dhe vetëdijesim për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinës tek qytetarët.
Tashmë qytetarët të cilët do të pajisen me infrastrukturë për kompostim shtëpiak do të kenë mundësi që mbeturinat si barishte e gjethe prej oborreve që posedojnë, mbeturinat e frutave dhe të perimeve, etj., t’i klasifikojnë dhe përmes tyre të prodhojnë pleh organik për nevoja vetjake përmes procesit të dekompozimit në kompostues.
Komuna e Fushë-Kosovës do të vijojë me shpërndarjen e kompostuesve tek të gjitha amvisëritë e zonave të paracaktuara për të planifikuar më tutje për zgjerim në tërë territorin e komunës.
Ky është hap mjedisor në nivel lokal që kontribuon drejtpërsëdrejti për ngritjen e një sistemi efikas të menaxhimit të mbeturinave komunale./InfoKomuna/