“Dodona”, me probleme financiare, nisi sezonin e ri me “Kësulëkuqen”

Postuar: 21:36 / 08.09.2018

Me sallën e mbushur plot, ka nisur sezoni i ri i teatrit “Dodona” në Prishtinë. Interesimi për shfaqjen e fëmijëve “Kësulëkuqja” ishte i lartë, raporton KTV.

Shfaqja nën regjinë e Melihate Qenës, i solli gjallëri këtij institucioni, pa marrë parasysh problemet e shumta që ka.

Teatri “Dodona” ka dy vjet që është pa drejtor. Gjithashtu, problemet me financim nuk mungojnë në këtë teatër. Për këtë shkak, menaxhmenti drejtues i teatrit është detyruar të largojë disa shfaqje nga repertori.

Komuna e Prishtinës ka thënë se intervistat për zgjedhjen e drejtorit të teatrit do të bëhen gjatë javës tjetër, ndërsa financimi i institucioneve kulturore, ka probleme në nivel vendi.

“Procedurat për drejtor janë zgjatur, sepse Bordi ka qenë në pushim, besoj se intervistat do të bëhen gjatë javës tjetër. Përkrahja financiare është problem i përgjithshëm qendror, që i bie se financimi i institucioneve kulturore në nivel vendi, ka probleme për momentin. Sipas Ministrisë së Financave, institucionet kulturore nuk mund të kenë llogari bankare. Shohim nëse mund të gjejmë zgjidhje me juristë”, ka thënë Yll Rugova, Drejtor i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës ka investuar 60 mijë euro në renovimin e Teatrit “Dodona” me ç’rast është bërë izolimi, renovimi i portës hyrëse, biletores, skenës, sallës dhe banjave.