Ekspozitë e performancë për rivitalizimin e ish-mensës së “Ramiz Sadikut”

Postuar: 15:55 / 07.09.2018

Objekti që për gati 40 vjet shërbeu si mensë e punëtorëve të ish-kompanisë “Ramiz Sadiku”, e më pas kreu edhe funksione të tjera, deri pas luftës së fundit në vend, të enjten u rivitalizua.

Të paktën për një orë. Tingujt e muzikës repetitive që vinin nga dhoma që dikur do të shërbente si kuzhinë, ishin sinjali i parë që të pranishmit të futeshin brenda për të parë performancën dhe ekspozitën “Metamorphosis” që u organizua nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, thuhet në një komunikatë për media të këtij fondacioni.

“Bashkë me muzikën, nisën të marrin formë edhe ‘statujat lëvizëse’, të cilat zunë vend në tavolinat dhe ulëset, për të rikujtuar funksionin primar të këtij objekti. Secili prej karaktereve të ulur në tavolinë portretizoi nga një person në kohë, për aq sa objekti ishte funksional. Video-projeksioni që shfaqej në murin përballë performancës ‘On the loop’, dokumentoi planimetrinë e objektit, ndërsa të pranishmit përmes një rrëfimi të incizuar kuptuan historinë e objektit që njihet si ish-mensa e punëtorëve të kompanisë ‘Ramiz Sadiku’”, thuhet aty.

Ndërsa skicat e vendosura në korridorin e vogël që lidh sallën kryesore me hapësirën e asaj që dikur ka qenë prapaskena, e kompletoi gjithë këtë rrugëtim nëpër kohë.

Si i tillë ky rrëfim për historinë e mensës erdhi nga hulumtimi që 20 të rinj dhe të reja e bënë me banorët e lagjes Pejton. Ata rikthyen memorien kolektive përmes një ndërhyrje artistike dhe i dhanë ngrohtësi e jetë objektit.

Ky projekt financohet nga BE, menaxhohet nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut. “Metamorphosis” është një projekt i realizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, i cili ka për qëllim nxitjen e ndryshimeve pozitive në shoqëri përmes mundësimit të vitalitetit kulturor dhe kreativitetit.