Ferizaj: Dje u hap ekspozita "E kaluara është tani"

FerizajPostuar: 10:20 / 26.01.2017

Pas qëndrimit nëpër disa qendra të Ballkanit, ekspozita me fotografi artistike e muzeut të Mynihut, në kuadër të festivalit “Fotodox”, u hap edhe në Ferizaj, e mbështetur nga Qendra Multimedia dhe Galeria e arteve.

Në hapje morën pjesë edhe Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa dhe krijues e dashamirës të shumtë të fotografisë artistike.

“Ekspozita ‘E kaluara është tash’, fokusohet në kohën që nga rënia e Murit të Berlinit, repsektivisht shpërbërja e ish-Jugosllavisë e deri në ditët tona... ekspozita e nxit shikuesin të të mendojë për historinë e re të Gjermanisë dhe për historinë e re të hapësirës kulturore të Ballkanit, si dhe për zhvillimet e tyre kundërthënëse”, është theksuar, ndër të tjera në preantimin me shkrim të kësaj ngjarjeje.

Rreth njëzet krijues i ekspozuan punimet e tyre, duke paraqitur këndvështrimet artistike për ndërlidhjen e së kaluarës me të tashmen dhe me të ardhmën.

Ambasadorja Viets iu drejtua të pranishmëve në ekspozitë, duke theksuar se e kaluara dhe e tashmja, janë pjesë e identitetit të secilit mjedis, prandaj, sipas saj, duhet të ballafaqohemi me historinë, në mënyrë që ajo të jetë një pikëfillim i mbarë për të ardhmën.

“Gjithashtu janë me rëndësi të posaçme edhe projektet artistike, të cilat bëjnë bashkë artistë të ndryshëm, për të parë dhe për t’i ballafaquar këndvështrimet e ndryshme. Ky është edhe një fillim për mirëkuptim të ndërsjellë”, tha Viets.

Kurse kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, u shpreh i gëzuar që pikërisht Ferizaj është përzgjedhur të jetë nikoqir i një ekspozite kaq të veçantë.

“Dihet që fotografitë e tregojnë historinë më mirë se sa fjalët. Ndaj, edhe kjo ekspozitë paraqet një pjesë të historisë, ose pjesë të historive e përvojave, që na bën ta kuptojmë më për së afërmi këndvështrimin edhe të të tjerëve me një realitet, të cilin e kemi jetuar edhe ne dikur. Prandaj, le t’i shijojmë dhe le ta njohim historinë që na e shpalosin ato, të bindur se krijuesit, me veprat e tyre, na e sjellin më afër se kushdo tjetër, koloritin e realitetit në kohë të caktuara dhe ndërthurjen me të sotmen dhe me të ardhmen”, vuri në dukje i pari i Ferizajt.

Me fotografi artistike në ekspozitë janë paraqitur krijues nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, por edhe krijues të disa vendeve evropiane. /InfoKomuna/