Qendra Multimedia e Prishtinës mori shumicën e çmimeve në Festivalin e Teatrove në Ferizaj

FerizajPostuar: 10:50 / 28.10.2016

Pothuaj të gjitha çmimet e këtij edicioni i mori “Një shfaqje teatri me katër aktorë...” dhe shfaqja e Shkodrës “Kandili i argjendit”.

 Shfaqja me titull rekord për nga gjatësia, “Një shfaqje teatri me katër aktorë, me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministrër, me një ‘Milka’ e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Nezirajt, me gjasë e ka thyer edhe rekordin e çmimeve në Festivalin e teatrove të Ferizajt, i cili përfundoi mbrëmë edicionin e dyzetegjashtë me radhë.

Emri kësaj shfaqjeje u përsërit pesë herë nga personalitete të kulturës që i dhanë çmimet: shfaqja më e mirë, roli më i mirë i mashkullit (Adrian Morina), roli më i mirë i femrës (Shengyll Ismaili), roli më i mirë dytësor i mashkullit (Ernest Malazogu) dhe regjia më e mirë (Blerta Neziraj).

Drama që flet për marrëzitë e politikës kosovare dhe trillet e Bashkimit Evropian “Një shfaqje teatri me katër aktorë, me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministrër, me një ‘Milka’ e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”, paraqet përpjekjet e sinqerta të kosovarëve për të arritur kriteret e integrimeve evropiane, si dhe burokracinë hileqare të BE-së, që e vështirësojnë këtë rrugëtim, të cilin edhe kafshët duan ta shfrytëzojnë, në mënyrë që të kenë një therje me standarde më të larta.

Çmimet tjera i mori shfaqja “Kandili i argjendit” e teatrtit “Migjeni” nga Shkodra, me tekst të Martin Camajt dhe regji të Fatbardh Smajës. Kjo shfaqje u vlerësua për rolin dytësor të femrës (Eliona Shkreli), për rolin episodik (Simon Shkreli); çmimi i karrierës iu dha aktorit Enver Hysenit; regjisori Fatbardh Smaja u nderua me mirënjohje, ashtu si edhe regjisori Ismail Ymeri (pas vdekjes).

Në emër të jurisë (të cilën e përbënin: Petrit Malaj, aktor dhe pedagog nga Tirana, Agim Selimi, regjisor nga Prishtina, Arian Krasniqi, dramaturg, Dardana Mehmeti, aktore dhe Besim Ukzmajli, regjisor), Petrit Malaj nuk bëri ndonjë arsyetim rreth çmimeve, por tha se me kolegët e tij kishin pasur mendime të ndryshme dhe diskutime të shumta rreth fituesve, të cilat në fund i kishin mbyllur me dakordime.

Malaj veçoi faktin se në shumicën e shfaqjeve mbisundoi mosha e re e aktorëve, që është premtuese për të ardhmën e teatrit, numri i madh i shikuesve, përtej mundësisve të sallës së teatrit të Ferizajt, si dhe përkushtimin e udhëheqjes komunale për ta mbështetur festivalin me të gjitha mundësitë.

Duke ia dorëzuar fituesit çmimin kryesor, kryetari i Ferizaj Muharrem Svarqa, tha se kënaqësia më e madhe tashmë është pjesëmarrja në këtë festival e trupave teatrore nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke gërshetuar qasje, shkolla, vlera dhe përvoja të ndryshme.

“Kjo traditë që po vazhdon prej vitesh, besoj se do të ketë ngjallur kureshtjen jo vetëm të shikuesve të thjeshtë dhe dashamirësve të teatrit. Shfaqjet brenda një skene dhe brenda një harku kohor prej një jave që paraqesin vlera aktuale teatrore që krijohen në Shkodër, Prishtinë, Podujevë, Shkup e Gjilan, besoj se përbën një rast të jashtëzakonshëm edhe për ata që merren profesionalisht me teatrin dhe me kulturën në përgjithësi, po sidomos për shikuesit”, theksoi i pari i Ferizajt.

Në edicioni e sivjetëm të Festivalit të teatrove, morën pjesë shfaqje nga Prishtina, Gjilani, Podujeva, Ferizaj dhe Shkodra. Ky edicion u mbështet nga Komuna e Ferizajt, Ministria e Kulturës, Raiffeisen bank”, TV Tema etj./InfoKomuna/