Filmi “Një muaj” vazhdon rrugëtimin në pesë festivale

Postuar: 12:15 / 26.09.2018

Pas sukseseve qysh nga nëntori i vitit të kaluar kur u dha premierë, filmi i shkurtër i regjisorit Zgjim Terziqi, “Një muaj”, vazhdon rrugëtimin. Tashmë ka marrë konfirmimin për pjesëmarrje në pesë festivale.

Film i bazuar në ngjarje të vërtetë, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të shfaqet para publikut maqedonas, boshnjak, moldavian, kanadez dhe në Guam, ishull në Mikronezi. Në katër prej këtyre festivaleve është pjesë e garës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Rrëfimi i filmit “Një muaj” sillet rreth personazhit të quajtur Ana, një 40-vjeçare e verbër, e pamartuar, e cila jeton sipas marrëveshjes së katër motrave të saj. Pakti i tyre përmban përkujdesjen ndaj saj nga secila motër nga një muaj. Në filmin “Një muaj” luajnë aktorët: Makfire Miftari, Luan Jaha, May-Linda Kosumoviq, Shengyl Ismajli, Irena Cahani, Fatmir Spahiu, Rinesa Qeriqi, Era Balaj, Dardane Mehmeti, Zog Zeqiri Berisha, Blerina Krasniqi, Nata Zeqiri-Berisha, Lis Spahiu e të tjerë.

Ky film deri më tani ka marrë tre çmime ndërkombëtare dhe një kombëtar.