Greva bllokon tri institucione kulturore
Tri institucione qendrore të kulturës janë bllokuar. Teatri Kombëtar i Kosovës, Filarmonia e Kosovës dhe ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” nga dita e mërkurë nuk do të zhvillojnë asnjë aktivitet. Punonjësit profesionalë janë bërë tok duke hyrë në grevë me kërkesën për rritje pagash. Situata e re për menaxhmentet e këtyre institucioneve ka qenë e papritur, pavarësisht paralajmërimeve të shoqatave sindikale.
E Ministria e Kulturës ka bërë thirrje që punonjësit t’i kthehen punës me premtimin se brenda pak ditësh do të bëhet zgjidhje. E ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka shkuar edhe më tej. Ka paralajmëruar masa. “Çmimin” e grevës qysh në ditën e parë të saj e ka paguar Teatri Kombëtar i Kosovës, duke anuluar premierën e shfaqjes “Kopshti i vishnjave” që ishte paraparë të jepej të mërkurën.
Përfaqësuesit sindikalë të punonjësve të tri institucioneve, nëpërmjet një konference për media, i janë drejtuar ministrit të Kulturës, të mërkurën. Nga Teatri Kombëtar i Kosovës ata kanë bërë me dije se do të bllokojnë çdo aktivitet. Këshilli grevist − në përbërje të Shkëlzen Veselit, përfaqësues i aktorëve të TKK-së, Besnik Grajçevcit, përfaqësues i punonjësve të “Shotës”, dhe Alban Fekës, përfaqësues i punonjësve të Filarmonisë − ka shpallur grevën, siç kanë thënë ata deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të lexuar nga Veseli, është thënë se performuesit e artit tash e 19 vjet janë në gjendje të rëndë dhe neglizhohen nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ministria e Kulturës ka bërë thirrje që punonjësit të kthehen në punë.
Ministri Kujtim Gashi, në një intervistë për KTV-në në mbrëmjen e së mërkurës
Ai ka thënë se gjërat do të ndryshojnë pas rritjes së pagave. Ka thënë se janë disa individë që kanë probleme me ligjin dhe se MKRS-ja do të merret me secilin punëtor të Ministrisë dhe secilin njeri që s’do ta kryejë punën e vet të caktuar me kontratë.