Kadare: Nevojitet botim e qarkullim më i madh i librit në gjuhën shqipe

Postuar: 12:41 / 19.05.2018

Në kuadër të takimeve që ka zhvilluar zëvendësministri Rexhep Hoti në Shqipëri, pati një të tillë edhe me shkrimtarin e njohur Ismail Kadare, me të cilin diskutoi për kulturën dhe arsimin këndej dhe andej Drinave.

Kadare e Hoti, siç njofton kumtesa, biseduan edhe për mundësinë e avancimit të projekteve madhore në shërbim të trungut të përbashkët kulturor dhe veçmas në kujdesin e vazhdueshëm ndaj gjuhës shqipe.

Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, e informoi shkrimtarin shqiptar me famë botërore, Kadare, për politikat dhe aktivitetet që ndërmerr MKRS-ja në raport me librin, botimin dhe shpërndarjen e tij si dhe të revistave letrare dhe në anën tjetër të përkrahjes së bibliotekarisë fuqizimit të rrjetit bibliotekar në Kosovë.

Ndërkaq, nga ana e tij, shkrimtari Kadare, ndër të tjera u shpreh se nevojitet botim dhe qarkullim më i madh i librit në shqip qofshin ata autorë shqiptarë apo të huaj. Kadare, thuhet në komunikatë, i tha zëvendësministrit Hoti që t’ia përcjellë si porosi edhe kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, që bashkërisht me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të bëjnë lehtësimin e politikave ndaj librit ashtu që ai të lëviz pa barriera këndej dhe andej Drinave.