Peja mban koncert të muzikës për nder të kompozitorit Halit Kasapolli

PejëPostuar: 09:01 / 19.04.2016

Peja, do të mbajë një mbrëmje të muzikës klasike – korale që i dedikohet kompozitorit, Halit Kasapolli.

Përmes një komunikate thuhet se, “ky është edicioni i katërt që shkolla e muzikës mbanë koncert recital me korin, mirëpo sivjet kjo mbrëmje i dedikohet kompozitorit pejan Halit Kasapolli”.

Është bërë e ditur se këtë mbrëmje do të hapë muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, e cila do të flas për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit Halit Kasapolli, transmeton Koha.net.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka thënë se veçantia e kësaj mbrëmje do të jetë interpretimi për herë të parë të veprës së Halit Kasapollit.

“Kjo mbrëmje do të jetë më e veçantë ngase ngërthen vepra shumë të vështira për neve, e që ka kërkuar një angazhim shumë më të madh. E veçanta e kësaj mbrëmje do të jetë interpretimi i veprës së kompozitorit Halit Kasapollit e që për herë të parë interpretohet tek ne. Vërtetë për këtë mbrëmje është punuar shumë dhe çdo gjë është arritur falë vullnetit të nxënësve shumë entuziastë. Kjo është hera e parë që qyteti i Pejës ia kushton një mbrëmje të tillë këtij kompozitori. Sa ia kemi arritur këtë do të shohim”, ka thënë Kelmendi.

Në këtë mbrëmje do të intepretohen vepra nga kompozitorë shqiptar dhe botërorë: H.Kasapolli, F.Beqiri, R.Rudi, S.Kolonja, K.Aliçkaj, K.Nushi, M.Kelmendi, Ë.A.Mozart, Carl Orff, K.Jenkins, J.Ivellio etj.

Mysafir special të kësaj mbrëmje do të jenë: Rreze Kryeziu-Breznica - muzikologe, Luan Sapunxhiu-kitarë, Zana Badivuku-Basha – piano, Vesel Nikçi – këndim malësorqe, Marigo Belegu – pad.

Kjo mbrëmje do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00 në kishën “Shën Katarina” në Pejë.