Qyteti i Prizrenit synon ta bëjë kulturën shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik e social

PrishtinëPostuar: 13:44 / 27.02.2017

Strategjia për kulturë e periudhës 2017-2020 synon vendosjen e kulturës si një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Komunës së Prizrenit dhe zbatimi i saj parasheh reformim në mënyrën e qeverisjes dhe buxhetimit të kulturës në nivel lokal.

Këto u thanë gjatë një tryeze në të cilën u prezantua drafti i këtij dokumenti. Bartësit e procesit të hartimit të strategjisë për kulturë të qytetit të Prizrenit, para përfaqësuesve të pushtetit lokal, institucioneve publike të kulturës, organizatave joqeveritare dhe aktorëve tjerë kanë paraqitur punën e deritanishme që është bërë duke përshkruar edhe bazat dhe planet mbi të cilat është ndërtuar strategjia, synimet, masat si dhe veprimet, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Strategjia komunale e Prizrenit për kulturë 2017-2020 është një strategji gjithëpërfshirëse e Komunës së Prizrenit në fushën e kulturës, që synon vendosjen e kulturës ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Komunës së Prizrenit, përmes orientimit rreth një vizioni të arritshëm dhe objektivave që çojnë në realizimin e tij”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Kujtim Gashi.

Koordinatorja e RrOK-ut, Malbora Krajku, ka shpjeguar se procesi i hartimit të strategjisë përbëhet nga hulumtimet, intervistat, punëtoritë, debatet dhe aktivitetet e ndryshme, në të cilat kanë marrë pjesë aktorë të ndryshëm.

Koordinatori i procesit, Ares Shporta, ka theksuar se për implementim të kësaj strategjie parashihet një reformë në mënyrën e qeverisjes dhe buxhetimit të kulturës, e cila kërkon pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm komunalë dhe të pavarur në planifikim kulturor.

Tutje ka shpjeguar se miratimi i kësaj strategjie dhe themelimi i Këshillit për Kulturë janë dy nga katër parakushtet themelore për anëtarësimin e Komunës së Prizrenit në nismën globale të qyteteve “Agjenda 21 për kulturën”./KohaDitore/