Qyteti i Ulpianës, së shpejti park arkeologjik

PrishtinëPostuar: 15:17 / 17.10.2016

Lokacioni më antik në Kosovë, qyteti i Ulpianës, është në prag të shpalljes park arkeologjik. Puna disavjeçare e arkeologëve në këtë lokacion, në një hapësirë prej 2.7 hektarësh, ka bërë që qyteti antik në afërsi të Prishtinës, Ulpiana, të jetë njëra ndër vendet më atraktive për vizitorët vendorë e ndërkombëtarë.

Udhëheqësi i projektit “Ulpiana”, Milot Berisha, tregon detaje të përgatitjeve për shpalljen e këtij lokacioni park arkeologjik.

“Punimet për promovimin e parkut arkeologjik të Ulpianës janë në proces të përfundimit. Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës tashmë nën mbrojtje të përhershme, do të shpallet park arkeologjik në ditët e fundit të muajit tetor”, tha Berisha për Gazetën Express.

Elektrifikimi i lokalitetit, shtigjet për vizitorë, tabelat informuese, fletëpalosjet dhe broshurat  janë në proces të përfundimit për të gjithë vizitorët, që duan ta njohin historinë e Ulpianës.

“Shtigjet për vizitorë do të jenë të gatshme në fund të muajit e po ashtu edhe tabelat informative, fletëpalosjet dhe një broshurë. Po ashtu, është punuar intensivisht në mirëmbajtjen dhe gjelbërimin e kontrolluar të një hapësire prej afër 3 hektarësh. Së shpejti pritet të bëhet kyçja e rrjetit të elektrifikimit”, tregon Berisha për Express-in.

“Sa i përket punimeve arkeologjike dhe konservuese mund të thuhet se janë në përfundim e sipër. Këtë vit është bërë një konsolidim i përgjithshëm në të gjitha monumentet dhe strukturat, përveç mozaikut polikrom paleokristian të dyshemesë të katedrales”, shtoi Berisha.

Parku arkeologjik do të ketë një rregullore të veçantë të mbrojtjes dhe të menaxhimit si dhe personelin e vet.

Duhet theksuar se Ulpiana është nën mbrojtje 24-orëshe, gjatë shtatë ditëve të javës. Ulpiana vizitohet nga vizitorë vendas dhe më shumë nga ata të jashtëm. Kohëve të fundit është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve. Po ashtu, po bëhen praktikë edhe vizitat nga nxënës, si të shkollave fillore, ashtu dhe të mesme.

Ulpiana mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e parë, gjatë pushtimit romak. Punëtorët që punuan në këtë projekt, nuk e kanë fshehur entuziazmin e punës, ata kanë gjurmuar qytetërimet e hershme në tokën e marrë me qira për 10 vjet. Këta arkeologë kanë gjetur artefakte të mjaftueshme edhe për hapjen e një muzeu në të ardhmen.

Berisha shpreson se në vitin 2017 do të vazhdojnë hulumtimet arkeologjike edhe me partnerë ndërkombëtarë.

Gjetjet arkeologjike në këtë lokacion pritet të kontribuojnë në zhvillimin e turizmit në Kosovë. /Gazeta Express/