"Jetë në udhëkryq" shfaqet të enjten në Rahovec

RahovecPostuar: 16:45 / 02.03.2016

Në Komunën e Rahovecit, të enjten më 3 mars 2016, shfaqet drama “Jetë në udhëkryq”, që është fryt i bashkëpunimit të Qendrës Rinore “S.H.L-Kosova” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Drama “Jetë në udhëkryq” shpalos realitete të dhimbshme dhe momente thyerjesh shpirtërore e morale, duke u gërshetuar me përpjekjet njerëzore për tejkalimin e sfidave të jetës.

Kjo dramë përkon me zhvillime aktuale të shoqërisë moderne, me tërë vështirësitë që e karakterizojnë tranzicionin tonë shoqëror. Drama ka të bëjë me fate njerëzish që takohen në udhëkryqet e jetës.

Mbi të gjitha drama, “Jetë në udhëkryq” është një mesazh i fuqishëm edukativ, me një mori vlerash shoqërore, përmbledhur në disa minuta.

Drama “Jetë në udhëkryq” është realizuar nga regjisori nga Tirana Gjergj Mena, ndërsa rolet i interpretojnë të rinj e të reja nga komuna e Rahovecit.

Pritet që në shfaqje të marrin pjesë personalitete të jetës publike, kulturore dhe dashamirës të artit skenik nga komuna e Rahovecit.

Shfaqja jepet më 3 mars 2016 në orën 17:15, në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj”.
Hyrja është falas./InfoKomuna/