“Talia e Flakës” nisi me ”Një natë në hotel” të Gjilanit

PrizrenPostuar: 10:12 / 24.01.2018

Shfaqja “Një natë në hotel” është pritur mirë nga publiku gjilanas. Asnjë karrige bosh nuk ka pasur në sallën e Teatrit të Qytetit për ta parë këtë komedi, me të cilën të hënën mbrëma u hap festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës”, që është shtyllë në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e Janarit 2018”.

Nikoqiri i “Talias” me këtë premierë me tekst të Muharrem Shahiqit, i rishkruar nga Agush Mulliqi dhe me regji të Bashkim Ramadanit, ka ngacmuar publikun, ku nëpërmjet situatave komike është munduar të paraqitet korrupsioni i politikanëve, policisë dhe deformime të tjera të shoqërisë.

Ngjarja zhvillohet brenda një nate në një hotel, i privatizuar me ndikim të korrupsionit, kurse të gjitha të metat dalin në pah pas një keqkuptimi në mes të njërit nga pronarët dhe një aplikanteje që kërkon të punësohet, shkruan sot Koha Ditore.

Ernest Zymberi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa - Baftiu, Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Avni Shkodra, Ramadan Kurti, Naser Zymberi dhe Tringa Hasani, përbëjnë kastën e aktorëve të “Një natë...”

Mirëpo të kënaqur me këtë shfaqje nuk janë ndarë kritikët, të cilët merren me vlerësimin e një shfaqjeje që jepet në festivalin “Talia e Flakës”.

Josif Papagjoni, kritik nga Shqipëria, ka thënë se shfaqja i takon zhanrit komedi dhe se regjisorët në shumicën e rasteve vendosin që të vënë në jetë shfaqje të këtilla, në mënyrë që publiku të ndahet i kënaqur, mirëpo edhe në këtë komedi nuk është punuar shumë që përmes humorit të jepet edhe mesazhi filozofik.

“Kosovatrans”, produksion i teatrit “Agush Hasani” të Podujevës, me tekst e regji të Naser Shatrollit, ka qenë shfaqja e radhës në “Talia e Flakës”, që është dhënë të martën mbrëma.