Ramosaj në Vjenë informohet për kredinë që përfshin ndërmarrjen "Higjiena"

DeçanPostuar: 13:04 / 28.03.2018

Kryetari i Komunës Bashkim Ramosaj, i shoqëruar nga Drejtori për Mbrojtje Shpëtim dhe Shërbime Publike Izet Zenuni dhe zyrtari i lartë financiar në Komunën e Deçanit, Agron Demukaj, janë pritur nga Herbert Utz nga kompania Maschinen – Umwelttechnik – Transportanlagen GmbH më seli Wien të Austrisë.

Produkt i këtij takimi ka qenë marrëveshja e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë e nënshkruar në janar të vitit 2017 për një kredi (të butë) që do t'i  jepet Kosovës nga Qeveria austriake, raporton InfoKomuna.

Të dy palët janë dakorduar që ky projekt i përbashkët të implementohet më së largu deri në fund të vitit 2018, që nënkupton se komuna e Deçanit e ka shumë të nevojshme pajisjen e ndërmarrjes tashmë komunale "Higjiena" me makineri të nevojshme për grumbullim të mbeturinave, pastrim të rrugëve, mirëmbajtje të kanalizimit etj.

Pas kësaj vizite të këtij delegacioni nga komuna e Deçanit, e cila rezultoi të jetë e suksesshme, një delegacion i kompanisë në fjalë nga Vjena e Austrisë në muajin në vijim pritet ta vizitoi komunën e Deçanit, të shoh nga afër kompaninë në fjalë njëkohësisht edhe të nënshkruajnë  marrëveshjen mes dy palëve, ku do të specifikohen të gjitha në detaje lidhur me bashkëpunimin e Institucionit komuna dhe kompanisë Maschinen – Umwelttechnik – Transportanlagen GmbH më seli Vjenë të Austrisë.

Ndryshe më 16 Mars 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin që Ndërmarrja Publike Lokale “Higjiena” në Deçan është themeluar me 100% aksione të Komunës së Deçanit.

Komuna do të veprojë si aksionar i vetëm i ndërmarrjes në regjistrimin e saj sipas ligjit. Të drejtat e aksionarit do t’i ushtrojë Komisioni Komunal i Aksionarëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërsa kryetrari i komunës Bashkim Ramosaj e ka mirëpritur këtë vendim për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale "Higjena". /InfoKomuna/