DnV-ja publikon rezultatet për dhjetë komuna

Postuar: 22:26 / 22.10.2017

Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 në Kosovë.

Sipas rezultateve, Gjilani do të shkojë në balotazh. Lutfi Haziri i LDK atje prin me mbi 43 për qind, ndërsa kandidati i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, me mbi 27 për qind.

Në balotazh do të jetë edhe Prizreni. Atje në raundin e dytë do të takohen Shaqir Totaj i PDK-së që ka marrë rreth 29 për qind, me Mytaher Haskukën e Vetëvendosjes me rreth 22 për qind.

Në Mitrovicë në balotazh shkojnë PDK-ja me rreth 30 për qind dhe AKR-ja me rreth 25 për qind.

Edhe në Ferizaj partia e parë ka dalë PDK-ja, që me kandidatin e saj Agim Aliu ka marrë 39 për qind, ndërsa kandidati i LDK-së, kryetari aktual Muharrem Svarça, ka marrë 31 për qind.

Pa balotazh e ka fituar Hanin e Elezit edhe kryetari i saj Rufki Suma, si kandidat i pavarur.


Obiliqi që udhëhiqej nga AAK-ja do të jetë në balotazh. Kandidati i saj arrin me rreth 46 për qind, e në balotazh është kandidati i LDK-së me rreth 26 për qind.

Kamenica shkon në balotazh, e atje për herë parë Vetëvendosje është e para. Në balotazh do të jetë me LDK-në.

AAK e LDK do të ballafaqohen në Suharekë. Atje kandidati i të parë ka marrë 39 për qind, e kryetari aktual 33 për qind.

PDK-ja e VV-ja do të ballafaqohen në Vushtrri. Kandidati i PDK-së ka rreth 32 e ai i VV-së rreth 27 për qind.

Nisma do të jetë në balotazh në komunën e vetme që udhëheq, ku kandidati i saj Ragip Begaj ka marrë rreth 39 për qind. Në Malishevë në balotazh do ta ketë kandidatin e PDK-së që ka marr rreth 27 për qind.