Ferizaj merr aksion për heqjen e panove reklamuese pa leje

FerizajPostuar: 16:38 / 22.03.2018

Me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka filluar aksioni për heqjen e panove reklamuese, tabelave për njoftime afariste, si dhe dekoreve e reklamacioneve të ndryshme të vendosura në shtylla e hapësira të tjera publike, pa lejen adekuate nga autoritetet komunale.

Deri më tani, janë hequr këto materiale në rrugën “Ahmet Kaçiku”, “Ganimete Tërbeshi” “Vëllezërit Gërvalla” dhe ky aksion do të vazhdoj edhe në rrugët tjera në gjithë territorin e Ferizajt, raporton InfoKomun.

Këto veprime janë ndërmarr në kuadër të iniciativës dhe vendimit të Kryetarit të Komunës, Agim Aliu për lirimin e hapësirave publike, gjegjësisht heqjen e standeve (tezgave), reklamacioneve të ndryshme si dhe materialeve të tjera të vendosura pa leje adekuate të cilat pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve.

Monitorimin e zbatimit të këtij vendimi po e bën Inspektorati Komunal dhe Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit.

Komuna e Ferizajt, fton të gjitha subjektet afariste dhe qytetarët e interesuar që të aplikojnë për lejen përkatëse për vendosjen e materialeve të tilla, në bazë të kushteve të planifikimit urban, kushteve estetike dhe bazueshmërisë ligjore gjithmonë në interes të qarkullimit të lirë të qytetarëve. /InfoKomuna/