Inspektorati mbyll 4 lokale në Ferizaj

FerizajPostuar: 17:00 / 17.05.2018

Inspektorati Komunal i Ferizajt sot ka zhvilluar një aksion në disa lokale në qendër të qytetit, gjegjësisht në zonën përballë shkollës fillore mesme të ulët “Tefik Çanga” për të inspektuar kushtet higjieno-sanitare, dokumentin e pëlqimeve si dhe librezën sanitare të këtyre bizneseve, me ç’rast bazuar edhe nga raportimet e qytetarëve për dyshimet e zhvillimit të dukurive devijante në këto lokale dhe mungesës së dokumentacionit të nevojshëm janë mbyllur 4 nga 6 lokalet e inspektuara.

Gjatë inspektimit të këtyre lokaleve nga inspektorët sanitar dhe të tregut ka rezultuar se ato nuk përmbushin kushtet minimalo-teknike higjieno-sanitare dhe sipas raportimeve nga banorët e zonës, ka dyshime edhe për zhvillimin e dukurive devijante.

Lidhur me këtë aksion, Koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha, ka deklaruar Inspektorati Komunal është më aktiv se asnjëherë më parë.

"Edhe sot, në vazhdën e aktivitetit inspektues kemi ndërmarr një aksion për kontrollin e disa lokaleve përballë shkollës fillore 'Tefik Çanga', zonë kjo që edhe më herët është raportuar nga qytetarët për dyshimet se po zhvillohen aktivitete devijante dhe të rrezikshme për shkak afërsisë që ka me shkollën. Ne sot kemi mbyllur 4 nga 6 lokalet që kemi inspektuar, për faktin se nuk kanë plotësuar kushtet higjieno-sanitare dhe kanë mungesa të dokumentacionit", tha ai.

"Ky aksion do të vazhdoj edhe ditëve në vijim në zona të tjera të qytetit si dhe me një koordinim më të gjerë edhe me mekanizma të tjerë institucional, gjegjësisht të sigurisë dhe të drejtësisë. Përkitazi me këto raste ne do të shqiptojmë gjoba administrative-mandatore. Presim që edhe organet e drejtësisë përkitazi me këto raste, pas hetimit, të shqiptojnë masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi në vendin tonë”, u shpreh koordinatori Berisha.

Ky aksion dhe aksione të ngjashme do të realizohen në vazhdimësi. Inspektorati Komunal është më prezent se asnjëherë më parë në gjithë territorin e Ferizajt duke realizuar aktivitete në fushë të ndryshme të inspektimit, kjo pas riorganizimit me qëllim fuqizimi të këtij mekanizmi mjaft të rëndësishëm për zbatimin e ligjit, iniciativë kjo e ndërmarr nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Komuna e Ferizajt, fton organet e sigurisë dhe të drejtësisë që të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin e dukurive devijante dhe rasteve të shkeljes së ligjit. Gjithashtu, një mbështetje të fuqishme institucioni i Komunës në këto aksione, pret edhe nga denoncimet e qytetarëve për të lehtësuar dhe evituar në kohë reale këto shqetësime dhe raste të shkeljes së ligjeve në fuqi në Republikën e Kosovës. /InfoKomuna/