KPF-ja procedon në kuvend miratimin e buxhetit me rritje 2.2 milionë euro

FerizajPostuar: 11:29 / 22.09.2017

Komiteti për politikë dhe financa i Ferizajt, me shumicë votash, ia procedoi sot Kuvendit të Komunës draftin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Tre anëtarë të komitetit nga partitë opozitare, dhanë votë të përmbajtur, njofton InfoKomuna.

Gjatë mbledhjes së KPF-së u tha se buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2018 është rreth 28 milion e 720 mijë euro, ose 8.46 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti.

Anëtarët e komitetit nga LDK (parti në pushtet) Muhamet Çerkini dhe Imri Hashani, vlerësuan se rritja e buxhetit për afro 2.2 milionë euro, do të japë mundësi për investime të rëndësishme, të cilat do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve të komunës së Ferizajt. Ata veçuan faktin se investimet kapitale vitin e ardhshëm do të rriten 17 për qind, krahasuar me sivjet, ndërsa shpërndarja e investimeve është bërë në mënyrë të tillë që të përfshihen të gjitha vendbanimet e komunës.

Kurse Mustafë Grainca i PDK-së dhe Sylejman Zeka i Vetëvendosjes, konstatuan se në draftin e buxhetit për vitin e ardhshëm është planifikuar rritja e shpenzimeve për shërbime dhe mallra dhe për shpenzime të luksit. Ata e vlerësuan draftin e buxhetit si një dokument që është hartuar për nevoja të fushatës zgjedhore, prandaj dhanë votë asnjanëse.

Mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt është thirrur për datën 27 shtator në ora 10.00.