Fshati Koliq sipas burimeve gojore
Në dokumentet historike dhe në literaturën shkencore emri Koliq figuron që nga viti 1455. Është fshat i vjetër, i cili shtrihet në verilindje të Prishtinës. Është tip i fshatrave të shpërndara dhe përbëhet prej disa lagjeve. Shtrihet në një distancë prej 22 kilometrash nga Prishtina dhe hyn në grupin e fshatrave të mëdha. Mirëpo, supozohet se ky toponim mund të jetë shumë më i lashtë dhe me prejardhje ilire-dardane.
Ndërsa, sipas mendimit të banorëve më të vjetër të fshatit, emërtimi është bërë qysh në kohën e vjetër antike ose në mesjetë, sipas emrit të banorit të parë Kola i konfensionit katolik. Sipas këtij supozimi, del se këtu kanë jetuar shqiptarët qysh prej ekzistimit të konfesionit katolik, por edhe më parë. Ndërkaq, emërtimi Kolaj rrjedh nga fjala origjinale shqipe e emrit të banorit të parë - Kola. Ky emër nuk është ndërruar as gjatë periudhave të mëvonshme të Perandorisë Osmane dhe të Mbretërisë Jugosllave. Por, gjatë sundimit serb, emërtimi i fshatit merr prapashtesën sllave iq, pastaj thirret Koliq vazhdimisht deri në ditët e sotme.
E kaluara historike
Lufta e Dytë Botërore filloi më 1939 dhe përfundoi më 1945. Kosova u pushtua nga nazifashistët në prill të vitit 1941. Pas pushtimit, Kosova u nda në tri zona: gjermane, italiane dhe bullgare. Zona e Kosovës, e pushtuar nga Italia, iu bashkua Shqipërisë, zona gjermane iu bashkua Serbisë, kurse Bullgaria mori një pjesë të Kosovës Juglindore. Ushtria gjermane zuri robër shumë shqiptarë, të cilët i internoi në Gjermani, që aty të punonin, për tu kthyer më vonë më 1945. Mirëpo, disa prej tyre nuk u kthyen kurrë dhe as u paraqitën se janë gjallë diku si, p.sh.: Lah Azemi, për të cilin familja nuk mori vesh kurrë çfarë u bë me të. Ndërkaq, disa pasi qëndruan një kohë në ushtrinë gjermane në trupat SS, u liruan dhe u kthyen në shtëpi si, p.sh.: Xhemail Neziri, Ahmet Beqiri, Fetah Pajaziti, Hasan Beka etj. Nga fshati Koliq kanë qenë 14 veta...
Fshati Kolaj pra i takon zonës gjermane. Pushteti lokal i naqallnikëve dhe dellovogjëve, me ardhjen e organeve gjermane, i mblodhi plaçkat dhe u largua nga Kolaj, bashkë me ta ikën edhe kolonët serbë. Edhe në këtë periudhë të pushtetit gjerman në Kolaj u formua komuna me organet e saj. Kryetar një kohë ishte Nezir Rama, pastaj Ilaz Fazliu, sekretar Rizah Hoxha, nëpunës Rifat Luta, koxhobash Azem Goxhufi, zapti Ramë Goxhufi dhe Qazim Rexhepi. Sikurse shihet edhe nga të dhënat, në organet komunale të pushtetit qe inkuadruar tërësisht popullata e vendit, nëpërmjet përfaqësuesve të vet.
Shqiptarët edhe gjatë kësaj kohe u detyruan të luftonin për aspiratën e tyre, bashkimin kombëtar dhe formimin e shtetit shqiptar në trojet etnike shqiptare. Balli Kombëtar filloi ti krijonte njësitë e veta ushtarake për mbrojtjen e vendit nga tendencat e ripushtimit nga pushtuesit ballkanikë. Kështu, në mbrojtjen e vendit nga sulmet bullgare, në Prapashticë të Gallapit, më 1943-1944, dhe në vijën Orllan-Brainë-Nishefc, nga sulmet serbo-partizane, morën pjesë shumë luftëtarë: Beqa e Neziri, Sadik Qoku, Adem Tafa, Ferat Voli, Hajriz Neza, Musli Syla etj.
Në këtë luftë ra dëshmor Imer Rama, kundër serbo-partizane, më 1944 në Orllan, për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ndërsa në vitin 1945 brigadat partizanë-çetnikë në Kolaj torturuan dhe vranë shumë banorë të pafajshëm vetëm pse ishin shqiptarë. Kështu, Sadik, Rrahim dhe Isa Qokun më 6. 1. 1945 i vrau brigada serbo-çetnike e Vranjës.
Ua rrethuan shtëpinë, i nxorën përjashta, të gjithë anëtarët, plaçkitën shtëpinë, bagëtinë dhe ia vunë zjarrin shtëpisë. Sadikun e mbyten me tortura në Liuzhan, ndërsa Isën dhe Rrahimin i pushkatuan. Familja e tyre tri javë është strehuar te fqinjët, pretekst për këtë masakër patën gjoja se kjo familje ka strehuar ballistin Hakif Rimanishta. Pastaj, në Kolaj, po në këtë vit, këto brigada kanë torturuar fizikisht, në mënyrë shtazarake, këta persona: Qerim e Lush Rrmokun, Naman Rexhepin, Ejup Hasanin etj.
Kushtet ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare
Kolaj është fshat kodrinor-malor, të cilin e përbëjnë kodrat, malet, livadhet e lumenjtë. Livadhet kositen vetëm një herë në vit. Lumenjtë nuk janë të pasur me ujë sepse gjatë verës kur bënë vapë ata shterin. Malet janë të pasura me disa lloje druri si: ahu, bungu, shkoza, qarri, bredhi, brekia, pisha, shparri etj.
Fshatarët e përdorin drurin për djegie, tani për ndërtimtari nuk e përdorin, pastaj drutë që janë ahu, shkoze, bungu e qarri i shesin në vend aty ku i presin, shesin edhe mal, dhe disa i shesin në tregun e druve në Prishtinë ku qytetarët i përdorin për djegie gjatë dimrit.
Prej livadheve që i kositin barin e thatë e bëjnë sanë dhe tepricën ndonjëherë e shesin. Banorët e fshatit Kolaj mbjellin kopshte me perime, fasule e misër. Fasulen e përdorin për nevoja të tyre dhe e shesin në treg. Arat janë të shpërndara sipas lagjeve. Ato i mbjellin me misër, fasule, grurë, tërshërë, e më parë i kanë mbjell edhe me thekër. Banorët e këtij fshati i kanë mbajtur kuajt, por tani nuk i mban askush. Sot ata mbajnë lopë, dhenë dhe dhi në një numër të vogël. Dikur ata kanë mbajtur edhe buallica. Ata sot mbajnë veç pula, edhe pse dikur kanë mbajtur edhe shota.
Arsimi dhe kultura
Mejtepet e para gjatë sundimit osman u hapën pranë xhamive. Në Kolaj, një mejtep u hap në vitin 1903, në xhaminë e fshatit. Hoxha i parë ka qenë nga Prishtina. Pastaj ka pasur hoxhallarë nga Rrethi i Llapit e më në fund nga vetë fshati: Mulla Zena, Mulla Sefa, Mulla Shahini, Mulla Syla, Mulla Beqa, Mulla Dauti etj.
Shkolla e parë në Kolaj është hapur në vitin shkollor 1936-1937, por në gjuhën serbe. Kjo shkollë u hap me qëllim të shkollimit të kolonëve serbë të vendosur aty. Por, në të u përfshinë edhe disa nxënës shqiptarë. Këtu meriton të shtrohet pyetja, edhe pse nuk kemi përgjigje, pse nuk u hap shkolla shqipe në vitet 1941-1944 në këtë fshat, kurse në mbarë Kosovën u hapën shkolla shqipe në këtë kohë. Në vitet 1945-1946, filloi faza e re të zhvillimit të arsimit në këtë trevë. U hap shkolla e parë shqipe në Kolaj, megjithatë, është kjo një fazë e re e zhvillimit edukativo-arsimor me një përfshirje të madhe të nxënësve të të gjitha nacionaliteteve, e më vonë edhe të gjinive.
U hapën edhe kurse kundër analfabetizmit dhe kurse shëndetësore etj. Mësuesi i parë në shkollën e parë në fshat pas Luftës së Dytë Botërore ishte Ismail Liapashtica nga fshati Dyz, pastaj Avdyl Sokoli, Sabit Gjoni nga Gllamniku, Aziz e Muharrem Krasniqi nga Grashtica etj. Më vonë, në vitin 1970, u hap paralelja e ndarë në Sh. F. Tefik Qanga në lagjen Podaj për arsye të distancës së madhe nga shkolla qendrore. /Epokaere