Shtatori në Fushë Kosovë nis me protesta, nxënësve u ndërrohet shkolla

Fushë KosovëPostuar: 16:18 / 03.09.2018

Njëzet paralele me nxënës filloristë të Fushë Kosovës po detyrohen të ndërrojnë lokacionin për mësim qysh në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor 2018/2019.

Për këtë arsye, prindërit bashkë me nxënësit nga klasët e 6-ta deri në të 9-ën kanë protestuar mëngjesin e sotëm para Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno”. Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se këtë vit do të ketë riorganizim të mësimit në dy shkolla fillore.

“Për shkak të numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë (afër 2600) nuk ka mundësi që të përfshihen të gjithë këta nxënës në dy ndërresa mësimore. Prandaj, nxënësit e ciklit të ulët, prej kl. 1 deri në kl. 5, do të mbajnë mësimin në lokalet e SH.F.M.U. ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, kurse nxënësit e ciklit të lartë, prej kl. 6 deri në kl. 9, do të mbajnë mësimin në Shkollën e re në Fushë-Kosovë e cila gjendet afër Shkollës ‘Daut Bogujevci’:, thuhej në njoftimin e komunës, të publikuar më 1 shtator.

Ndërsa drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi tha për KALLXO.com se zhvendosja e nxënësve në shkollën tjetër, është alternativa e fundit për shkak të mungesës së hapësirës në objektin aktual, i cili i ka 25 klasë mësimi.

“Arsyeja është se është rritë numri i nxënësve në këtë shkollë , janë bërë mbi 2 mijë  e 730 nxënës dhe gjatë planifikimit e kemi parë që 20 paralele nuk na zë hapësira këtu në shkollë dhe kemi qenë të detyruar që klasët e 6-ta, 7, 8 dhe të 9-ta t’i bartim në objektin e ri të shkollës “Daut Bogujevci” dhe atje t’i vendosim në këtë vit shkollor”, tha ai.
Sipas drejtorit, shkolla e re e cila është në ndërtim e sipër tash e tetë vjet, ka kushte për zhvillim të mësimit.

“Po, sepse është objekti i ri i ministrisë qe 8 vite ka filluar të ndërtohet dhe sivjet meqë është në përfundim, janë disa renovime të vogla, mirëpo shumica e punëve janë përfunduar dde kushtet janë krijuar për me e filluar procesin mësimor dhe sot veç ka filluar dita e parë e mësimit atje” shtoi Gashi.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se përgjegësia për këtë çështje nuk është e ministrisë, por e Drejtorisë Komunale për Arsim.

“Ne e kemi marrë këtë shqetësim. Kemi marrë informacione edhe nga DKA-ja. Ajo çka duhet të kuptjmë të gjithë  kjo nuk është përgjegjësi e Ministrisë, por e DKA-së. DKA-ja duhet të bëjë zgjidhje e cila është e favorshme për nxënësit. Nëse ka nevojë për mbështetje nga ana e Ministrisë ne do të jemi të gatshmë të bashkëpunojmë me DKA-në të ofrojmë zgjidhje. Ajo çka është problematike në Fushë Kosovë, ka një shtim të madh të numrit të nxënësve për shkak të ardhjeve në këtë komunë”, tha ministri.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zyrtarët komunalë lidhur me këtë çështje, por në zyrën për media  thanë se janë duke zhvilluar takime më këshillin e prindërve dhe se ende nuk kanë dalë me një qëndrim zyrtar.

Prindërit e nxënësve kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste edhe më masive ditën e nesërme.