Kusari-Lila: Gjakova me më shumë tregje moderne

GjakovëPostuar: 14:29 / 13.11.2017

Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ditën e sotme e ka filluar me takime të shumta me qytetarët e Komunës së Gjakovës, në kuadër të ditës së parë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Me këtë rast, Kusari Lila, ka vizituar tregun në Bllokun e Ri, i cili i shërben bashkësive më të mëdha lokale të qytetit, ku edhe është takuar me tregtar dhe qytetarë të rastit.

“Vizitën në treg e zgjodha si aktivitetin tim të parë për fushatën e balotazhit, ngase jam e lumtur që gjatë mandatit katër vjeqar jemi munduar që të ndihmojmë sa më shumë bujq në mënyrë që të kemi sa më shumë prodhime vendore në tregjet e Komunës së Gjakovës.

Gjithashtu, në vendin që po e vizitojmë sot, kemi hartuar një projekt të mirëfillët dhe modern për dhënje në partneritet publiko privat, proces ky që është në fazën e përgaditjes së ankandit publik, e që do jetë një mundësi shumë e mirë për hapsira të mjaftueshme edhe për shitësit ambulant”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari Lila, transmeton Klan Kosova.