Nisin proceset tenderuese për Lotin 1 të Qarkores së Gjakovës

GjakovëPostuar: 15:36 / 15.03.2018

Komuna e Gjakovës ka organizuar sot sesion informues me operatorët ekonomikë për projektin e Qarkores së qytetit të Gjakovës, lotit të parë. Bëhet fjalë për projektin infrastrukturor, i cili pritet të nisë këto ditë.

Siç tha kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ky është projekt i përbashkët e komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe është tenderi më i madh që është hapur ndonjëherë nga kjo komunë.

Ai ka shtuar se ky bashkëpunim nuk do të përmbyllet me kaq, sepse projektet infrastrukturore në komunën e Gjakovës do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Loti i parë i këtij projekti përfshin segmentin nga lokacioni “Ura e Nakarades”, deri tek rrethrrotullimi në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Bujar Roka”, për të vazhduar më tej me lotet e ardhshme, që përfshijnë segmentin në mes të lokacioneve “Ura e Nakarades” dhe “Pika e Zeze” si dhe vazhdimin e rrugës “Bujar Roka” në drejtim të Shkugëzit dhe Rekës së Keqe.