Gjilani rrënon një objekt, po ndërtohej në pronën komunale

GjilanPostuar: 14:01 / 27.03.2019

Drejtoria e Inspekcionit në komunën e Gjilanit, ka bërë rrënimin e një objekti të ndërtuar në pronën komunale në lagjen “Arbëria”.

Në njoftimin për media thuhet se kjo drejtori do të vazhdojë në këtë formë me të gjitha ndërtimet-uzurpimet e pronës komunale.

Drejtori i kësaj drejtorie, Nevzad Rushiti, ka potencuar se uzurpimi i pronës komunale dhe ndërtimi pa leje është një vepër e rëndë që sipas tij, çdo shkelës i këtyre rregullave, përpos rrënimit mund të përballet edhe me organet e drejtësisë.

“Sot jemi në lagjen “Arbëria”, ku kemi bërë rrënimin e objektit i cili po ndërtohej në prone publike. Në këtë hapësirë do të bëhet ndërtimi i stadiumit ndihmës të futbollit. Mirëpo, krahas këtij veprimi të ndërmarrë ndaj këtij objekti, inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe po zbatojnë detyrën zyrtare konform ligjit, duke bërë shiritime, procesverbale, ndërprerje të punimeve e deri te rrënimet sikur rasti i sotëm”, ka thënë ai.

Rushiti, ka apeluar të gjithë qytetarët që të jenë vigjilent, pasi që sipas tij, blerja e pronës komunale nga kushdo qoftë, apo edhe investimi në ndërtim janë vepra penale. Ai theksoi se përpos humbjeve të tyre materiale, çdo shkelës do të përballet me organet e drejtësisë, pasi që siç tha ai prona komunale është e patjetërsueshme dhe nuk lejohet ndërhyrja e paautorizuar në te.