Kurteshi: Do ta bëjmë Gjilanin me trafik urban

GjilanPostuar: 14:51 / 16.11.2017

Njëri ndër tri prioritetet kryesore të kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi, është trafiku urban dhe transporti publik, për të cilin tha se do të lidh të gjitha fshatrat me qytetin e Gjilanit dhe do ta bëjë këtë qytet me trafik urban.

Kurteshi shtoi se kjo është e mundshme të bëhet me mjete vetanake.

“Lëvizja Vetëvendosje një ndër tri zotimet prioritare për zgjidhjen e tyre, përveç sanimit të ujërave të zeza dhe rivitalizimin e arsimit është edhe trafiku urban bashkë me transportin publik në komunën e Gjilanit. Këtu jemi në stacionin e autobusëve të Gjilanit që ka një moshë diku rreth 50 vjeçare dhe ju e shihni në çfarë gjendje është, pasi është degraduar relativisht shumë”, tha Kurteshi.

Pretendenti për ta parin e Gjilanit tha se me funksionimin e trafikut urban kanë llogaritur që një numër të kategorive siç janë rastet sociale, pensionistet dhe fëmijët deri në 12 vjet do ta kenë pa pagesë.

Me krijimin e kësaj kompanie, Kurteshi shtoi se do të punësohen rreth 100 njerëz.

Kurteshi konfirmoi se Partia e Drejtësisë përmes një deklarate ka shprehur gatishmërinë për mbështetjen e tij në garën e balotazhit. Po ashtu nëse ai fiton tha se do të marrë vendim për ndarjen e 100 eurove për secilën lindje në Gjilan.