Komuna e Hanit të Elezit me seancë solemne shënon “Epopenë UÇK-së”

Hani i ElezitPostuar: 15:11 / 05.03.2018

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Kuvendi i Komunës së Hanit të Elezit me Seancë Solemne shënon “Epopenë UÇK-së”, rënien heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri

Në seancën solemne të pranishëm ishin përfaqësues të familjet e dëshmorëve të kombit, përfaqësuesit e shoqatave te dalura nga lufta e UÇK-së, përfaqësues te policisë, bashkësinë islame, kryetar të fshatrave, përfaqësues të familjeve Brava si dhe të ftuar tjerë.

Hapjen e Seancës Solemne e bëri Kryesuesi i Kouvendit të Komunës Qamush Brava i cili me fjalë rasti foli mbi rendësin e kësaj ngjarje historike që lidhet me, rënien heroike të Komandantit Legjendarë Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve të tjerë për liri.
Ndërsa kryetari i Komunës Rufki Suma duke iu drejtuar të pranishmëve tha se populli shqiptarë me shekuj ka vuajtur nga pushtues te ndryshëm e në veçanti nga pushtuesi serb, të cilët vazhdimisht kanë ushtruar dhunë e gjenocid mbi popullatën shqiptare.

Përpjekjet e shqiptarëve te Kosovës, por edhe te Hanit te Elezit nuk pushuan asnjëherë deri në çlirimin definitiv të Kosovës, ne qershorin e vitit 1999.

Por per te ardhur deri këtu, shumë njerëz para nesh u vranë e u persekutuan, shumë prej tyre u burgosen e u keqtrajtuan, shumë nxënës e student u helmuan. Mbi 50 ushtarë shqiptarë, në ish armatën jugosllave u vranë. Një prej ushtarëve të tillë qe u vra ne ushtrinë jugosllave neënatën e ndërrimit të motmotit te vitit te Ri, ne vitin 1991 ishte ushtari Izet Bushi, tani dëshmor i kombit.

Nga kjo kohë rinia shqiptare e Kosovës filloi te bojkotoj sherbimin ushtarak ne ushtrinë vrastare jugosllave, e në anën tjetër populli shqiptarë filloi te punoj ne drejtim te themelimit te celulave te para te Ushtrisë Çlirimtare te Kosoves, e cila publikisht doli ne skenë, ne varrimin e mësuesit Halit Geci në Llahushë te Skenderajt me 28 Nëntor te vitit 1997.

Nga kjo periudhë kohore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, filloj te zhvilloj aksione te ndryshme guerile per të shpërthyer ne luftë frontale te armatosur me 5,6,e 7 mars te vitit 1998, ku në një luftë të pabarabartë bien në altarin e lirisë për te mos vdekur kurr, komandanti legjendar Adem Jashari dhe pothuaj e gjithë familja Jashari.

Pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes se tij, lufta e UÇK-së filloj te përhapet me te madhe ne terë Kosovën, e në kontest te saj, edhe në Han të Elezit ku nga qershori i vitit 1998, falë përkrahjes dhe mbështetjes se familjes Brava, ne fshatin Pustenik u formuan njësitet e para të UÇK-së.

Këtij grupi shpejt iu bashkëngjiten ushtar nga Puset e Nikës e pastaj edhe nga fshatrat tjera si Seqishtë, Gorancë, Rezhancë, Paldenicë, Dimcë, Krivenik dhe nga vendet tjera të Komunës sonë dhe më gjerë.

Njësiti i parë i UÇK-së në trevën e Hanit të Elezit ishte vendosur në Puset e Nikës nga qershori i vitit 1998. Nga ajo kohë deri me krismën e Pushkës së Parë, ushtarët e UÇK-së bënin përgatitjet për luftë të armatosur me forcat serbe. Në mungesë të armatimit të mjaftueshëm ushtarët e kësaj treve shkuan për stërvitje ushtarake dhe furnizim me armatim në Shqipëri.

Gjatë hyrjes për në Kosovë, në Pashtrik më 14 dhjetor 1998, në luftimet mes ushtrisë jugosllave dhe UÇK-së, bie dëshmori i parë i kësaj ane Veli Ballazhi dhe plagosen disa të tjerë të kësaj treve dhe zihen rob nga ushtria serbe 8 ushtarë të UÇK-së në mesin e tyre edhe dy nga Hani i Elezit,e të cilët më vonë u liruan pasi që UÇK-ja kishte zënë rob disa ushtar serb dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i robërve te luftës dhe në këtë mënyrë fatmirësisht u liruan edhe ushtarët e UÇK-së.

Vrasja e Gafurr dhe Driton Lokut më 21 shkurt të vitit 1999 ishte një sinjal i qartë se lufta edhe në këtë pjesë të Kosovës po fillonte.

Nuk zgjati pak ditë, kur me 26 shkurt te vitit 1999 ushtria dhe policia serbe tentoi të marrë pozicionet e UÇK-së në Puset e Nikës, duke tentuar te depërtojnë përmes vendit te quajtur “Maja e Shullanit”, por atyre ne ballë u doli njësiti i UÇK-së, ku krisi edhe pushka e parë çlirimtare, dhe pas një luftimi te ashpër mes forcave ushtarako-policore serbe dhe njësitit te UÇK-së, ne patëm një ushtarë të plagosur, ndërsa ne radhët e okupatorit kishte te vrarë e të plagosur.

Në pamundësi që ushtria dhe policia serbe te depërtoj ne pozicionet e UÇK-së përmes kësaj pike, një njësit i tyre u pozicionua ne vendin e quajtur “te Antena e TVP-së”, ndërsa njësitet tjera provuan edhe njëherë të depërtojnë përmes pikës tjetër ne drejtim te vendit te quajtur “Kodra e Faslisë”, por edhe kësaj radhe para u doli njesiti i UÇK-së dhe pamundësoi depërtimin e tyre ne pozicionet e UÇK-së.

Nga dështimi i tyre për ti asgjësuar forcat e UÇK-së në Puset e Nikës, okupatori serb ndërmori një ofensivë të gjërë mbi këtë fshat, kështu që me 2 dhe 3 mars të vitit 1999, rreth 70 ushtarë të UÇK-së u përballën me mbi 7000 forca ushtarake dhe policore serbe, të cilat nga orët e hershme të mëngjesit, gjatë tërë ditës granatuan dhe sulmuan panderprerë pozicionet e UÇK-së, por edhe përkundër kësaj lufte të pabarabartë, ku raporti i forcave ishte 100 me 1 në të mirë të forcave serbe, ne nga kjo luftë dolëm me dy të vrarë dhe dy të plagosur. U vranë shokët e një gjenerate Nuri Bushi dhe Xhemsedin Suma ndërsa armiku u tërhoq mbrapa turpshëm duke tërhequr zvarrë pas vete shumë të vrarë dhe të plagosur nga radhët e tyre.

Gjatë këtyre luftimeve, njësiteve të UÇK-së në Puset e Nikës u doli në ndihmë në ushqim dhe strehim fshati Kotlinë dhe ushtarë të tjerë nga Komuna e Kaqanikut e sidomos nga fshati Bob.
Ushtarët e Hanit te Elezit, duke ditur se kudo qe luftohej mbrohej kauza shqiptare, morën pjesë në fronte te ndryshme te luftës, në betejën e Koshares, nga Hani i Elezit kishte dhjetëra ushtarë kryesisht të rinjë në moshë, ku në këto luftime bie dëshmor Imri Curri dhe plagosen disa të tjerë nga Hani i Elezit.

Ashtu sikur që kishte ushtarë nga Kaçaniku dhe vendet tjera te kosoves dhe Maqedonisë në njësitet e UÇK-së ne Han te Elezit, ashtu edhe në luftimet e Kaçanikut nga Hani i Elezit bie dëshmorë Imer Vila.

Të nderuar të pranishëm, pushtuesi serb, në pamundësi per të marrë pozicionet e UÇK-së në Han të Elezit, dëboi me dhunë të gjithë banorët e Hanit te Elezit për Maqedoni, e njëkohësisht edhe arrestoi disa qytetarë të Hanit të Elezit të cilët i dërguan ne burgjet e Kosovës dhe te Serbisë ku shumë prej tyre i keqtrajtuan, i torturuan dhe ekzekutuan. Në mesin e shumë të burgosurve të vrarë nga ana e ushtrisë dhe policisë serbe ishte edhe i riu 17 vjeçar nga Hani i Elezit Suad Brava.

Të nderuar te pranishëm

Pas sulmeve të një pas njëshme mbi Puset e Nikës, që zhvilloheshin nga muajin mars të vitit 1999, radhët e UÇK-së në këtë vend shtoheshin gjithnjë e më tepër. Shtimi i radhëve të UÇK-së, dhe sukseset e një pasnjëshme të UÇK-së kundër forcave okupatore serbe bënë që në fund të muajit maj të vitit 1999 me propozimin e Zonës Operative të Nerodimes dhe me vendim të SHP të UÇK-së formohet Brigada 164 e UÇK-së e cila mori emrin e dëshmorit Gafurr Loku.

Lufta e drejtë e UÇK-së dhe dhuna e pandërprerë e ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës bëri që në krahun tonë të vihet edhe faktori ushtarak ndërkombëtarë i NATO-së në krye me SHBA-në, të cilët dhanë një kontribut të jashtzakonshëm që ne të çlirohemi nga okupatori serb.

Të nderuar të pranishëm, të nderuar qytetarë.

Luftën nuk e bënë vetëm ushtarët e UÇK-së që ishin në pozicione, por atë e bëi i gjithë populli shqiptar. Luftën e ndihmuan edhe bashkatdhetarët tanë të cilët pandërprerë dërgonin mjete financiare për sigurimin e armatimit dhe pajisjeve tjera luftarake, ndihmë në këtë drejtim dhanë edhe vëllezërit tanë nga Shqipëria dhe Maqedonia të cilët pos kyçjes direkte në luftë, ata edhe strehuan familjet tona në krizën më të madhe, ata ndihmuan edhe ne furnizim me ushqim dhe pajisje tjera ushtarake.

Të tillë ishin banorët e fshatrave Bllacë, Nigishtan, Greqan, Radushë, Jazhincë e shumë e shumë shqiptarë kudo që ishin, që ja vlen të falënderohen përzemërsisht.

Të nderuar te pranishëm, edhe pas përfundimit të luftës së Kosovës, të vetëdijshëm se shqiptarët e zonave tjera si në Luginë te Preshevës ashtu edhe në Maqedoni, nuk gëzonin lirinë siç e kishin të tjerët u detyruan të vazhdojnë me luftime të një pasnjëshme.
Në luftën e Maqedonisë nga komuna e Hanit te Elezit bien dëshmorë Elham e Nehat Curri, Qemal e Ilaz Thaqi, Baki Krasniqi, dhe Ramadan Shyti.

Pra për lirinë e trojeve shqiptare Hani i Elezit dhe 15 dëshmorë e disa martirë.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Dëshmorët dhe gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë e trojeve shqiptare tha kryetari i komunës Rufki Suma në fjalimin e tij.

Të pranishmëve në këtë Seancë Solemne me fjalë përshëndetse iu drejtuan edhe përfaqësuesit e subjekteve politike, Sabedin Hassallari nga LDK, Nora Ballazhi nga AAK, Akif Shkreta nga VV,Mehmet Ballazin nga PDK, Mefail Suma nga Nisma Socialdemokrate dhe Mallzum Qajani nënkryetari i komunës .

Mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës së Hanit të Elezit përfundoi me ndarjen e “Mirënjohjeve”.

Ky përvjetorë i rëndësishëm ishte rast që të nderohen ata që kontribuan në rritjen dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.

U nderuan me mirënjohje familjet e atyre që me gjakun e derdhur vendosën themelet e pavarësisë:
Gafurr dhe Driton Lokut
Veli Ballazhit
Nuri Bushit
Xhemsedin Sumës
Imri Currit
Imer Vilës
Suad Bravës
Elham Currit
Nehat Currit
Qemal Thaçit
Ilaz Thaçit
Baki Krasniçit
Ramadan Shitit
Izet Bushit

Me mirënjohje u nderuan shoqatat e dalura nga lufta e lavdishme e UÇK-së

-Shoqatën e familjeve të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Han të Elezit.
-Shoqatën e Invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Han të Elezit.
-Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Han të Elezit.
Me ‘Mirënjohje u nderuan edhe familjet të cilët strehuan dhe ushqyen ushtarët e UÇK-së dhe shtëpitë e tyre i shëndrryuan në kazerma të UÇK-së
-Familja e Nuri Bravës
-Familja e Nuhi Bravës
-Familja e Vebi Bravës
-Familja e Gani Bravës.