Buxheti i Kaçanikut për vitin 2019 do të jetë 8.4 milionë euro

KaçanikPostuar: 11:30 / 18.04.2018

Ekzekutivi i Komunës së Kaçanikut, të hënën ka mbajtur takimin e rregullt të fillimjavës nën udhëheqjen e kryetarit të komunës, Besim Ilazi. Drejtori për Ekonomi,Financa dhe Zhvillim, Bahri Selimi njoftoi se nga Ministria e Financave kanë pranuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2019 dhe orientimet për vitet 2020 dhe 2021.

Sipas këtij dokumenti buxheti komunal për vitin 2019 do të jetë në shumë prej 8,425,928.00 euro, apo rritje prej 11.4% në krahasim me vitin aktual 2018, apo shprehur në masë monetare për 862,709.00 euro me shumë. Rritja më e madhe do të jetë nga Grantet Qeveritare, të cilat do të jenë në shumë prej 7,539,503.00 euro për vitin 2019 apo për 700,944.00 me të larta se në vitin 2018.

Po ashtu, edhe projeksionet e të hyrave vetjake janë vlerësuar në shumë prej 786,413.00 euro, apo për 91,498.00 euro më të larta se në vitin aktual 2018.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Diana Bajrami njoftoi se Inspektori Sanitar të nivelit regjional në bashkëpunim me zyrtarë të arsimit kanë kryer inspektime në çerdhen e fëmijëve “Agimi” në Kaçanik e disa shkolla fillore, ndërsa Zahir Doda, drejtor i Drejtorisë për Arsimit dhe Kulturë njoftoi se ka përfunduar punën Komisioni për ndarje e bursave për studentë, ndërkohë që lista me emrat e 50 përfituesve tani më është bërë publike.

Në vazhdim drejtori Doda njoftoi edhe për takimin e mbajtur me përfaqësuesin e CDF-së dhe dy organizatave partnere: INTEGRA dhe Croos Cultures ku është biseduar për fillimin e realizimit të projekteve në shkolla. Gjithashtu, ai njoftoi se DAK është duke e plotësuar dokumentacionin për të kërkuar pëlqimin nga MKRS për themelimin e teatrit të qytetit.

Në takim janë diskutuar edhe tema tjera, ndërkaq që drejtori për Urbanizëm, Ukshin Qallaku dhe ai për Shërbime Publike, Ramadush Osmani kanë njoftuar për projektet në zhvillim e sipër dhe projektet e reja. /InfoKomuna/