Familjet e dy policëve të zhdukur vizitohen nga kryetari i Komunës së Kaçanikut

KaçanikPostuar: 16:34 / 30.04.2018

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm Policisë për Regjionin e Ferizajt dhe Komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik si dhe zyrtarë të lartë komunal, vizituan familjet e dy policëve të zhdukur.

Me këtë rast, sipas një njoftimi, kryetari Ilazi ritheksoi përkushtimin institucional si dhe bashkëpunimin me të gjithë mekanizmat relevant të kërkimit.

“Kryetari edhe njëherë ndau shqetësimin e tij me familjet Dashi e Trena, në këto momente të rënda ankthi e pritjeje. Edhe zyrtarët e lartë policorë u shprehën të përkushtuar në angazhimin e tyre në operacionet e kërkimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Kaçanikut.

Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena janë zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.