Kaçanik, shkollat gjermane ndihmojnë me inventarë shkollat e Ivajës dhe Gajrës

KaçanikPostuar: 10:21 / 07.12.2017

Shkollat gjermane nga Dortmundi, përmes arsimtarit Kemal Qallaku, mësimdhënës në shkollën shqipe në Dortmund, kanë ndihmuar me inventar shkollor shkollën e fshatit Ivajë dhe Gajre.

Në ShFMU “Dituria” në Ivajë, i pranishëm gjatë pranimit të inventarit shkollor ishte edhe Nuhi Gashi, zyrtar për arsimin shqip në diasporë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë.

Ai me këtë rast ka falënderuar shkollat gjermane e në veçanti mësimdhënësin e bashkatdhetarin, Kemal Qallaku për ndihmën e ofruar për disa shkolla në vendin tonë si në Pejë, Prishtinë, Ferizaj e në Ivajë e Gajre.

Ai ka theksuar se janë gjithsej 4 kamionë të mbushur me inventarë shkollor në vlerë prej 250 euro, ndërkaq njëri nga to është dedikuar për këto dy shkolla të komunës së Kaçanikut.

Ndërkaq, drejtori për Arsim e Kulturë, Enver Kamishi ka falënderuar mësimdhënësin Kemal Qallaku, ndërsa e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën e ofruar nga vendi mik, Gjermania, ashtu sikurse edhe Nexhadi Luta, drejtor i shkollës në Ivajë i cili ka thënë se tani e tutje janë krijuar kushte më të mira për nxënësit e kësaj vatre arsimore.

Në këto dy shkolla janë dhuruar gjithsej 278 karrige, 67 tavolina 6 tabela dhe 4 vitrina për sallën e arsimtarëve. /InfoKomuna/