Kaçaniku liston angazhimet e dhjetorit në përmbyllje të projekteve kapitale

KaçanikPostuar: 11:04 / 03.12.2018

Ekzekutivi komunal i Kaçanikut, fillimin e muajit dhjetor e ka shënuar me vëllim të punëve në finalizimin e shumë projekteve kapitale dhe punëve e aktiviteteve të tjera komunale.

Siç thuhet në njoftim, në këtë takim ekzekutivi komunal u raportua për punët dhe aktivitetet komunale, të cilat janë në përfundim e sipër. Punimet në projektet kapitale janë përmbyllur, në disa projekte të tjera kapitale punët janë në finalizim, ndërsa janë duke u bërë pranimet teknike për projektet e realizuara.

Kryetari Ilazi tha se edhe këtë vit investimet komunale kanë qenë të orientuara në përmirësimin e jetës së qytetarëve kaçanikas, në rregullim të infrastrukturës rrugore, asfaltim të rrugëve, urave, trotuareve e ndriçimit publik, ujësjellës e kanalizim, ndërtim dhe meremetim të objekteve shkollore, ndërtim dhe rregullim të objekteve shëndetësore, subvencione në bujqësi, pa lënë anash as një lagje apo fshat të Komunës së Kaçanikut, ndërsa janë ofruar shërbime efektive për qytetarët pa dallime. /InfoKomuna/