Babai që vrau të birin 14 vjeçar, para disa viteve e përdhunoi një vajzë të mitur

KamenicëPostuar: 14:02 / 24.05.2018

Vrasja e të birit nuk është akti i vetëm i tmerrshëm i babait nga Karaqevë e Komunës së Kamenicës. Vite më parë 60-vjeçari Gani Bernjashi, i cili mbrëmë e mbyti djalin e hasretit duke e rrahur keq, si dhe rrahu vajzën e tij 17 vjeçe, kreu edhe një krim tjetër të tmerrshëm. Po aq të tmerrshëm sa ky sot, shkruan Gazeta Express.

Ganiu në vitin 1997 erdhi në Prishtinë dhe e dhunoi një vajzë të mitur 12-vjeçare.  Për këtë akt të tmerrshëm ai vuajti dënimin me 7 vjet dhe doli nga burgu në vitin 2004. Në kohën kur e kreu këtë krim ai ishte 40-vjeçar.

Këto të dhëna i ka dhënë për Gazetën Express prokurori i Krimeve të Rënda në Gjilan i cili po merret me rastin, Shaban Spahiu.

“Ne i kemi intervistuar familjarët, ndaj të dyshuarit kemi vënë masën e paraburgimit prej 48 orëve. Për personin thuhet të ketë qenë problematik. Ka kërkuar para, por nuk është se ka pasur nevojë për to, ngase kushtet financiare nuk i kanë pasur edhe aq keq. Për të kemi informata se gjatë viteve të 90’ta e ka  dhunuar një të mitur”, ka thënë Spahiu për Express.

Ndaj të dyshuarit është duke u përgatitur kallëzimi penal.  Ganiu është i martuar me një grua të nacionalitetit boshnjak dhe kishin një djalë dhe dy vajza nga kjo martesë.

Ganiu për një kohë të gjatë kishte bërë punën e lypsarit profesionist. Terrenet e tij të lypjes së parave në rrugë kishin qenë Prishtina e Mitrovica. Ai në fshatin e tij ku banonte në Karaqeve të Kamenicës, nuk njihej si person i qetë. Gazeta Express ka mësuar detaje për Ganiun nga fqinjët e tij.

“Nuk kemi pasur muhabet me atë person. Ai para shumë viteve kishte dhunuar një vajzë. Kërkonte para, por kushtet në shtëpi nuk i kishte pasur të këqija. Dy troje i kishte të blera, dhe del tash e mbyt djalin e tij të vetëm, kjo është makabre. Jemi të shokuar”, i ka thënë Express’it njëri nga fqinjët  e Ganiut.

Por këto histori shokuese nuk janë të vetmet për të cilat njihet familja e  Bernjashit nga Karaqeva e Kamenicës.  Babai i Ganiut, para 30 viteve i kishte mbytur në bunar dy vajzat e tij. Këtë ia kanë pohuar Express’it fqinjët e familjes Bernjeshi.

Për vrasjen e fëmijës 14-vjeçar nga Prokuroria e shtetit thonë se po i vazhdojnë hetimet. Janë bërë ekzaminimet e vendit të ngjarjes dhe së shpejti për këtë rast të rëndë do të publikohen detajet tjera.

Vrasësi momentalisht gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.

Sot trupi i pajetë i 14-vjeçarit, pas kryerjes së autopsisë, i është kthyer familjes për ceremoni mortore. Ai pritet që të varroset gjatë ditës së sotme.