Kamenicë, në vend të Rëntgenit për njerëzit, u vendos ai për kafshët (Video)

KamenicëPostuar: 15:28 / 07.11.2017

Në debatin e organizuar në Telegrafi.com me kandidatët për kryetarë të komunës së Kamenicës është paraqitur skandali i vendosjes së një rëntgeni që ishte paraparë për kontrolle mjekësore, por që doli rëntgen që duhej të përdorej për kafshë.

Kështu bëri të ditur kandidati i VV-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Këta e kanë vendos një Rëntgen të kafshëve tu mendu që është Rëntgen për njerëz”, ka deklaruar Kastrati.

Ndërsa, Shaip Surdulli nga LDK-ja ka shpjeguar sesi ka ndodhur kjo çështje.

“…Ne kemi marrë materialin dhe e kemi përpunu dhe ia kemi dorëzuar Zyrës së prokurimit materialin e specifikacionin se si duhet mu ndërtu ajo ambulant, ku përveç tjerave është përcjell edhe aparati i rëntgenit se si duket. Kur ka shku Komisioni me bë kontrollimin dhe pranimin teknik të objektit dhe aty ka marr pjesë edhe një anëtar i Komisionit dr.Asllan Dërmaku dhe aty kanë has në një aparat që nuk është adekuat, nuk është sipas fotografisë. Përkundrazi ka qenë i destinuar për kafshë…”.

Ndryshe, për këtë kanë nisur edhe procedura hetimore.