Kastrati: Buxheti i qeverisë rrezikon bankrotimin e Kamenicës

KamenicëPostuar: 18:00 / 14.03.2020

Në ditën kur po diskutohet në Kuvendin e Kosovës, Projektbuxheti për vitin 2020, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar lidhur me këtë.

Kastrati përmes një shkrimi në Facebook, thotë se buxheti i propozuar nga qeveria do ta vështirësoj gjendjen e qytetarëve dhe bizneseve në këtë komunë.

“Mënyra se si është planifikuar dhe se si do të votohet do ta përkeqësojë jashtëzakonisht shumë jetën e qytetarëve të Kamenicës, do të pengojë bizneset e pakta në komunën tonë, si dhe do ta gjunjëzojë Komunën për shkak të padive potenciale nga operatorët ekonomik”, ka shkruar Kastrati.

Ai shton se, “në vend se t’i jepet një infuzion zhvillimi kësaj pjese të lënë anash historikisht, komunë kufitare me shpërngulje të madhe të popullatës, Qeveria ka zvogëluar buxhetin e përkrahjeve direkte për 57 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2019 si dhe pa ndarë 45 për qind më pak mjete nga sa ishte planifikuar në vitin 2019 per vitin 2020”.

Shkrimi i plotë i Kastratit

Sot pritet të votohet Projektligji për Buxhet i Repulbikës së Kosovës për vitin 2020. Mënyra se si është planifikuar dhe se si do të votohet do ta përkeqësojë jashtëzakonisht shumë jetën e qytetarëve të Kamenicës, do të pengojë bizneset e pakta në komunën tonë, si dhe do ta gjunjëzojë Komunën për shkak të padive potenciale nga operatorët ekonomik.

Numrat e vendosur në tabelat e Projektligjit për Buxhet për vitin 2020 tregojnë një mungesë totale ndjeshmërie ndaj kontekstit e arbitrarizëm të pashoq. Kamenica nuk është vetëm emër në tabelë e as numër rendor. Në vend se t’i jepet një infuzion zhvillimi kësaj pjese të lënë anash historikisht, komunë kufitare me shpërngulje të madhe të popullatës, Qeveria ka zvogëluar buxhetin e përkrahjeve direkte për 57% krahasuar me buxhetin e vitit 2019 si dhe pa ndarë 45% më pak mjete nga sa ishte planifikuar në vitin 2019 per vitin 2020. 50% zvogëlim i mbështetjes është thikë pas shpine për të gjithë qytetarët e Kamenicës që votuan për ndryshim, për zhvillim dhe për drejtësi. Kjo qeveri në Kamenicë ka parapa vetëm 110,000.00€ projekte të reja (përvec shkollës ‘Fan Noli’, projekt nga Marrëveshja me Ministrinë e Arsimit). Edhe këto projekte janë lapidare e muze, që nuk kanë ndikim direkt në mirëqenien e qytetarit. Cili do të jetë efekti i ndryshimit, drejtësisë, e zhvillimit aq shumë i proklamuar në Kamenicë?

Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe shqetësuar me planifikimin e buxhetit për Komunën e Kamenicës për këtë vit. Përvec që Qeveria ka anuluar disa projekte me rëndësi vitale për qytetarët, është vështirësuar tejmase realizimi i projekteve tashmë të nisura, si dhe rrezikohemi nga paditë e operatorëve të cilët mund ta bankrotojnë komunën edhe ashtu të diskriminuar dhe pazhvilluar.

Kamenica nuk guxon të vazhdojë të diskriminohet nga niveli qendror. Kamenica nuk bën të neglizhohet nga qeveria. Sepse ky diskriminim i vazhdueshëm do të ketë pasoja afatgjate të pariparueshme.

Çfarë pret niveli nacional nga Kamenica përvec votës? Çfarë të bëjë Kamenica me buxhetin vetanak prej 650,000.00 euro? Të vazhdojë të shpërngulet për mungesë perspektive? Kamenica është komunë kufitare e cila duhet të mbështetet dhe zhvillohet nga qeveria. Kjo s’do mend. Në cilat komuna po shkojnë rreth 145,000,000.00€ nëse Kamenica po përfiton vetëm 1.3% nga ky fond? Dhe pse?

Parametrat që Qeveria po i përdorë për planifikimin e investimeve direkte në Komuna nuk përputhen as me matematikën e thjeshtë, por as me casjen komplekse që do të duhej ta kishte ndaj një Komune të diskriminuar në vazhdimësi.

Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë ka rekomanduar Komunën e Kamenicës të mos vazhdojë mësimin në shkollën më të madhe fillore në Kamenicë, Fan Noli. Ndonëse kemi marrë premtimin nga Qeveria për ndërtimin e shkollës së re, ky projekt planifikohet të përfundojë per tri vite. Kjo do të vështirësojë procesin edukativ në masë të madhe dhe nuk përkon me objektivat e Qeverisë së re.

Ne kemi kontraktuar kompaninë e cila ka për detyrë të përfundojë punën në Bulevardin e Qytetit me afat prej 365 ditë kalendarike. Qeveria parasheh që projekti të kryhet brenda vitit 2021. Ato pak biznese të Komunës që operojnë në lokacionin ku do të ndërtohet Bulevardi do të kenë të pamundur të realizojnë veprimtarinë e tyre për rreth 2 vite. Kjo do të ndikojë negativisht në ekonomitë familjare të qindra punëtorëve që burim të vetëm financiar e kanë punën në këto biznese.

Renovimi i Shtëpisë së Kulturës është tashmë i kontraktuar dhe parashihet të përfundojë këto ditë. Kontrata për këtë projekt është 300,000.00EUR, ndërsa Qeveria për këtë vit i ka ndarë vetëm 50,000.00EUR dhe të tjerat i ka lënë për vitet e tjera. Sipas kontratës, kompania e perfundon punën shumë më herët dhe në rast të padisë ndaj komunës, ne obligohemi ta paguajmë pjesën tjetër nga buxheti i komunës, pra rreth 250,000.00EUR. Kjo shumë është rreth 40% e buxhetit për investime kapitale. Të cilën s’mund ta përballojmë. Në asnjë mënyrë.

Asfaltimet e Rrugëve ne Kamenicë në vlerë prej 1,200,000.00€, kanë kontratë të nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës. Afati për përfundimin e punëve është në fund të Prillit të 2020 ndërsa në projektligjin për buxhetin e vitit 2020, ky projekt është paraqitur si projekt 3 vjeçar. Kjo është në kundërshtim me kontratën e nënshkruar dhe do të rrezikonte seriozisht mbarëvajtjen e projektit.

Ftoj të gjithë deputetët me prejardhje nga Komuna e Kamenicës të mbajnë premtimet e dhëna gjatë kohës së fushatës dhe të mos i mbyllin sytë e veshtë ndaj kësaj padrejtësie. Ftoj të gjithë Deputetët e Kuvendit të Kosovën të mos kenë casje mendjengushtë e territoriale ndaj zhvillimit të vendit. Ftoj Qeverinë e Kosovës të rimendojë numrat e vendosur në tabela pa ndjeshmëri ndaj kontekstit.

Nga Draft Buxheti i kaluar (2020-2022) e i votuar nga ish-Qeveria e Republikës së Kosovës për
Komunën e Kamenicës mungojnë projektet e mëposhtme të cilat janë me rëndësi vitale për qytetarët tanë:

– “Asfaltimi i rrugëve Lokale” me KOD PROP. 205070-2035756 në vlerë 206,000.00€
-“Ndërtimi i rrugës dhe objekteve përcjellëse me KOD PROP. 205070-2035758 në vlerë prej 275,000.00€
-“Ndërtimi i rrugës nga Qendra e Kamenicës deri në fshatin Berivojcë” me KOD PROP. 205070-2035759 në vlerë prej 125,000.00€.
-“Ndërtimi i urës ne Rrugën Qarkore mbi lumin Krivarek” me KOD PROP. 205070-2035693 në vlerë prej 165,000.00€
-“Ndërtimi i urës në Karaqeve të Eperme” me KOD-PROP. 205070-2035697 në vlerë prej 95,000.00€
-“Ndërtimi i urës në Lumin Kika ne Hogoshtë te stadiumi” me KOD PROP. 205070-2035700 në vlerë prej 85,000.00€
-“Rregullimi i përrockës Kollartë në Lagjen Qamëria-Kamenicë” me KOD PROP. 210136-2035929 në vlerë prej 400,000.00€.
-“Rregullimi i shtratit të përrockës në lagjen Malësia-Kamenicë” me KOD PROP. 210136-2035931 në vlerë prej 500,000.00€.

GjilanKomente: 0 Kurteshi-Emini: Kuvendi Komunal i Gjilanit kthehet në punë më 2 qershor 17:08 / 26.05.2020 Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) sot ka mbajtur takimin e parë pas pushimit të detyruar shkaku i pandemisë, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend Komunal Informatën rreth gjendjes së pandemisë Covid-19, raportin e punës për vitin 2019 të kryetarit të Komunës, raportin...
Komente: 0 IKSHPK: Asgjë nuk ka përfunduar, mbani maskat e distancën 23:50 / 22.05.2020 Asgjë nuk ka përfunduar! Virusi nuk po tallet! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Ky është apeli i sotëm i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, pak orë pasi njoftoi se ka regjistruar të premten 21 raste të reja me koronavirusin e ri, pas...