Kundërshtohen disa nga propozimet e kryetarit për drejtor në Kamenicë

KamenicëPostuar: 09:46 / 22.02.2018

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili e fitoi mandatin nën siglën e Vetëvendosjes, ka propozuar emrat për 7 drejtori komunale, porse disa nga emrat po kontestohen nga ana e subjektit, nga i cili ai ka dhënë dorëheqje javë më parë.

Kastrati ka thënë të mërkurën për gazetën se është e drejtë e tij t`i emërojë drejtorët dhe t`i përzgjedhë ata.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar propozime konkrete nga VV-ja dhe se i ka shqyrtuar ato, përpara se ta bëjë publike listën përfundimtare. Sipas tij, reagimet e bëra më shumë janë nga ana e kandidatëve që kanë synuar poste në komunë, shkruan sot Koha Ditore.

“Unë i kam thënë Vetëvendosjes me më rekomandu emra me më këshillu, por kjo është çështje e kryetarit se me çfarë ekipe don me vazhdu me udhëheq komunën. Tash çështja është se Kamenica është komunë shumë e vogël dhe nuk e di se si shkon në komunat e tjera. Vetëvendosje askund as në Prishtinë dhe as në Prizren nuk cakton nëpër qendra se kush do të jetë drejtor, por ata e rekomandojnë dhe këshillojnë. Unë i kam pyetur dhe mandej vendimin e kam marrë vetë”, ka thënë Kastrati. Ai reagimet i ka cilësuar individuale. /InfoKomuna/