KLGI organizoi punëtorinë për vlerësimin e Ex-Post të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë

Postuar: 14:59 / 29.10.2020

Në vazhdën e mbështetjes së institucioneve, Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) i ofroi mbështetje teknike dhe profesionale punëtorisë për vlerësimin e Ex-Post të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ministria e Pushtetit Lokal.

Pjesëmarrës në punëtori ishin Grupi Punues për vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, pjesë të së cilit janë përfaqësues nga Ministria e Pushtetit Lokal (MPL), Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), Misionit të OSBE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Institutit KLGI.

Grupi punues diskutoi draft-vlerësimin e Ex-Post të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, për të parë sfidat me të cilat ballafaqohet sistemi zgjedhor në nivel lokal.

Diskutimi kishte në fokus disa fusha me interes siç janë: Parimet themelore të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë; Votimi jashtë Kosovës; Përfaqësimi Gjinor; Zgjedhja e organeve lokale të qeverisjes; Zgjedhjet për Kuvendet e Komunave; Zgjedhjet e Kryetarëve të Komunave.

Vlerësimi Ex-Post shihet si proces shumë i rëndësishëm në sigurimin e zbatimit të legjislacionit primar e sekondar në mënyrë efektive dhe që legjislacionit t’i bëhet rishqyrtimi i duhur. Ministria e Pushtetit Lokal, për vitin 2020, ka paraparë që vlerësimin Ex-Post t’i bëjë Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, si ligj i rëndësishëm, i cili ka ndikim në zgjedhjen e organeve lokale të qeverisjes.

Andaj, lidhur me këtë, Qeveria e Kosovës ka hartuar udhëzuesin, i cili do të përdoret gjatë procesit të vlerësimit të këtij ligji. Njëkohësisht, Ligji për Zgjedhjet Lokale në Kosovë është i lidhur ngushtë me sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë. Pra, Ligji për Zgjedhjet Lokale duhet analizuar në raport me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Në këtë kontekst, vlerësimi Ex-Post shihet si shumë i rëndësishëm në sigurimin e zbatimit të legjislacionit primar dhe sekondar në mënyrë efektive, para së gjithash, kjo analizë është e bazuar në praktikat më të mira dhe parimet rregullative, dhe ka për synim të fus në funksion një metodologji gjithëpërfshirëse për rregullim më të mirë ligjor.

Ky diskutim ishte në kuadrin e mbështetjes profesionale që po ofron Instituti KLGI për Institucionet në ngritjen e kapaciteteve dhe hartimin e politikave dhe legjislacionit në fushën e qeverisjes lokale.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘Mbështetje për Komuna më të Forta dhe më të Qëndrueshme (SSSM)’ i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.