Bashota: Në vitin 2007, Klinën e kam gjetur një fshat të pazhvilluar

KlinëPostuar: 08:58 / 28.09.2017

Dega e PDK-së në Klinë sonte shpalosi programin zgjedhor para anëtareve dhe simpatizantëve në lagjen “Dukagjini” dhe “Arbëria” të Klinës dhe u bë prezantimi i kandidatit për kryetar komune, Sokol Bashota dhe 29 kandidatëve për anëtar të Kuvendit Komunal.

Siç njofton PDK, Bashota u shpreh i bindur në rrugëtimin e përbashkët edhe për katër vite tjera në qeverisjen e Klinës dhe premtoi se do të realizojë të gjitha projektet e nevojshme për këto dy lagje.

Ndër të tjera Bashota, premtoi asfaltimin e rrugës unazore nga kryqëzimi Prishtinë-Pejë-Gjakovë deri të Fabrika e Farërave, që zbraz nga qarkullimi i automjeteve qytetin e Klinës, pastaj ndërtimin e një çerdhe në lagjen “Arbëria” si dhe ndërtimin e një shkolle nga klasa 1-5 nëse gjendet lokacioni. Po në këtë lagje Bashota ka premtuar edhe shtrirjen e rrjetit të kanalizimit dhe ujësjellësit në ato pjesë ku mungon.

“Alternativa e vetme që ka mundësi të realizoj projektet në të mirë të qytetarëve është PDK-ja. Në vitin 2007, Klinën e kam gjetur një fshat të pazhvilluar ndërsa sot pas dhjetë vite qeverisje është njëri ndër qytetet me të mira. Janë asfaltuar 250 km asfalt, janë ndërtuar 9 shkolla të reja, kemi zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për qytetarët, është ndërtuar Palestra e Sportit, e projekte tjera në shumë fusha që kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarit”, ka thënë Sokol Bashota.

Sipas tij fitorja u dedikohet qytetarëve. “ Oponentët tjerë nuk i njohin e as nuk i dinë hallet e juaja. Komunën tonë nuk guxojmë ta lejmë në duar të atyre që Klinën dëshirojnë ta kthejnë mbrapa, e as në dorë të atyre që djegin institucionet e vendit të ndërtuara me djersën e juaj”, tha Bashota, i cili porositi qytetarët që më 22 tetor të dalin në zgjedhje dhe të votojnë nr 94 për një jetë edhe me të mirë të qytetarit të Klinës.