Funksionalizohet Komisioni për riintegrim në Klinë

KlinëPostuar: 13:39 / 17.08.2018

Komisioni komunal për riintegrim të personave të riatdhesuar deri tashti ka figuruar vetëm në letër si i formuar, por funksional nuk ka qenë në kuptimin e përgjegjësive që ka për vlerësimin e nevojave të personave të riatdhesuar, përfshirë edhe ndihmën për qasjen në regjistrat e gjendjes civile, pajisjen me dokumente, arsim, trajtim psiko - social dhe të tjera.

"Përpara ka qenë një komision, i cili në fakt nuk ka funksionuar, sepse nuk janë takuar asnjëherë, por ka qenë sa për të pasur në raporte që ekziston. Tashti do të merren masa konkrete për të demonstruar përkushtimin tonë për përmirësimin e kushteve dhe integrimin e personave të riatdhesuar në shoqëri”, thotë kryesuesi i këtij komisioni, njëherësh drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Klinë, Hekuran Sejdiu, për funksionalizimin e këtij komisioni.

Gjatë këtij viti, siç tregon Agim Gashi, koordinatori për komunitete dhe kthim, vetëm një person është kthyer nga vendet perëndimore.

Vvitin e kaluar, pa dhënë numrin e anëtarëve familjarë, sipas Gashit, janë riatdhesuar 11 familje.