Tahiri inkurajon strukturat e reja komunale të zgjerojnë bashkëpunimin me akterët lokalë

KlinëPostuar: 18:03 / 22.02.2018

Në vazhdën e vizitave në komuna, përfaqësuesit e Institutit KLGI vizituan komunën e Klinës, ku u pritën nga Kryetari i Komunës, z. Zenun Elezaj. Përgjatë takimit, Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, dhe Kryetari Elezaj diskutuan lidhur me zhvillimet dhe sfidat në komunën e Klinës, njëherësh për hapat në vijim në funksion të agjendës së përbashkët për fuqizimin e nivelit lokal.

Fillimisht, Tahiri ka uruar Kryetarin Elezaj për marrjen e mandatit të ri si Kryetar i Komunës dhe ka ofruar mbështetje profesionale nga Instituti KLGI, duke pasur parasysh se edhe ekzekutivi edhe kuvendi komunal përfaqësohen nga struktura të reja. Për këtë Tahiri, ka thënë se është e rëndësishme që në nisje të ketë bashkëpunim dhe koordinim të qëndrueshëm në mes të dy organeve kyçe (Ekzekutivi dhe Kuvendi Komunal) në mënyrë që të hartohen politika të qëndrueshme zhvillimore, shkruan InfoKomuna.

Për këtë, projekti në ‘Mbështetje të Komunave të Forta dhe të Qëndrueshme’ mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë që u prezantua synon të ndihmojë komunat për të ndërtuar praktika efikase të bashkëpunimit dhe koordinimit brenda dhe ndër-komunal. Kësisoj, jo vetëm se fuqizohet demokracia dhe mbikëqyrja, por para së gjithash rritet kualiteti i vendim-marrjes dhe besueshmëria e qytetarëve.

Ndërkaq, sa i përket bashkëpunimit ndër-komunal, Tahiri ka theksuar se duhet shfrytëzuar si mjet efikas për administrimin e shërbimeve të përbashkëta, duke përfshirë edhe hartimin e politikave strategjike zhvillimore. Ky bashkëpunim mund të jetë një mekanizëm i rëndësishëm edhe në adresimin e sfidave dhe mundësive të përbashkëta qoftë tek institucionet qendrore e po ashtu edhe tek investitorët potencial.

Në fushën e mbështetjes për ngritjen e kapaciteteve dhe asistencës teknike, përmes programeve të avancuara trajnuese dhe mentorshipeve, komuna do të ketë kapacitete të shtuara në planifikim të qëndrueshëm, duke shmangur politikat ad-hoc. Njëkohësisht përmes mentorshipeve do të ketë mundësi të avancojë dhe integrojë praktika të mira sa i përket hartimit, zbatimit dhe mbikëqyrjes së politikave publike.

Ndërkaq, sa i përket rolit të shoqërisë civile dhe profesionistëve të rinj, Tahiri ka inkurajuar se me zgjerimin e bashkëpunimit me këta akterë, komuna përfiton në disa drejtime: e para se ka më të artikuluara kërkesat e publikut; e dyta se zgjeron mundësinë e përfshirjes profesionale, dhe e treta se ndihmon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Krejt në fund, kryetari Elezaj mirëpriti projektin duke theksuar se është një mundësi e mirë që për strukturat e reja komunale cilat sapo kanë marrë mandatin ti adresojnë problemet, njëherësh bashkërisht të eksplorojnë zgjidhjet më të mira në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së qytetarëve. /InfoKomuna/