Kolegjiumi i drejtorëve të arsimit zgjedh kryesinë e re

Postuar: 16:56 / 22.02.2018

Asociacioni i Komunave të Kosovës mbajti takimin e parë të Kolegjiumit për Arsim në kuadër të konsolidimit të strukturave të saja, pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Takimi kishte për qëllim informimin e Drejtorëve të sapo zgjedhur të Komunave për rolin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, aktivitetet lobuese, përfshirë adresimin e kërkesave dhe rekomandimeve që dalin nga strukturat e AKK-së, me objektiv kryesor përmirësimin e vetëqeverisjes lokale, shkruan InfoKomuna.

Rezultatet e AKK-së në fushën e lobimit përfshijnë koordinimin e kërkesave komunale dhe përfaqësimin e përbashkët të komunave në proceset legjislative si dhe fuqizimin e AKK-së si aktor në proceset vendimmarrëse.

Me qëllim prezantimin e projektit ‘’Schoolme-Education’’ Iris Gjinovci informoi drejtorët lidhur me punën dhe rëndësinë në aftësimin e mësimdhënësve për të zhvilluar kompetencat e të nxënit të nxënësve të përcaktuara sipas Kornizës së Kurrikulës së Kosovës përmes shfrytëzimit të platformës digjitale ‘’SchoolMe’’ si dhe të burimeve të tjera online në procesin mësimor dhe shfrytëzimin e këtyre burimeve në përvetësimin e njohurive dhe zhvillimit të shkathtësive të tyre.

Lëndët shpjegohen në shqip nga mësues të regjistruar dhe shoqërohen të sinkronizuara me video shkencore, filma, imazhe, dokumente, harta specifike, duke shtjelluar, thelluar, dhe përditësuar të gjitha temat mësimore të renditura sipas programit e ku plotësohet nga mijëra video të tjera të zhvilluara nga institucione ndërkombëtare arsimore e shkencore, për të thelluar dhe sinkronizuar programin me informacione dhe metoda bashkëkohore të shpjegimit.

Në takim po ashtu u rishikua edhe plani i punës në realizmin e objektivave dhe koordinimin e aktiviteteve të Kolegjiumit në ndërlidhje me programin legjislativ për vitin 2018 me interes për pjesëmarrje në grupet punuese qeveritare dhe komisionet parlamentare gjatë shqyrtimit të projektligjeve të reja apo plotësim ndryshimit të ligjeve në fuqi e të cilave do të i kushtohet rëndësi nga ky Kolegjium gjatë këtij viti.

Në këtë takim njëherësh është shqyrtua dhe miratua nga anëtarët edhe Rregullorja e Punës, si dhe është bërë edhe zgjedhja e Kryesisë dhe e Kryesuesit të këtij Kolegjiumi.

Kështu Kryesues i Kolegjiumit për Arsim është zgjedhur Besim Avdimetaj, drejtor për Arsim në Komunën e Pejës kurse zv.kryesues i këtij Kolegjiumi është zgjedhur Blerim Thaçi, drejtor për Arsim në Komunën e Malishevës. Ndërsa anëtarë të tjerë të Kryesisë së Kolegjiumit u zgjodhën Drejtorët e Arsimit të Komunave: Ferizaj, Skënderaj, Prizren, Kaçanik, dhe Drenas.