Komunat e qëndrueshme, forcë shtytëse drejt integrimit evropian

Postuar: 14:57 / 16.01.2018

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KLGI, Besnik Tahiri, gjatë qëndrimit në Vienë të Austrisë, takoi Zëvendës-Sekretarin e Përgjithshëm të Asociacionit të Komunave të Austrisë, Nicolaus Drimmel, njofton InfoKomuna.

Në takim u diskutua për rolin e komunave në procese zhvillimore të shteteve, me theks për rrugën drejt integrimit evropian.

Ky takim ishte mundësi e mirë për të parë funksionimin e qeverisjes lokale në të dyja vendet, në mënyrë që të identifikohen mundësitë e shkëmbimit të modeleve të mira. Në këtë kontekst, përgjatë takimit, theks i veçantë u vë në përvojat e Austrisë në fushën e bashkëpunimit ndër-komunal, njëherësh mundësitë e marrjes dhe adaptimit të këtyre praktikave edhe në Republikën e Kosovës.

Tahiri vizitoi edhe Qendrën për Administratë Publike dhe Hulumtime ku pa nga afër angazhimin dhe punën e kësaj qendre në funksion të zhvillimit të vendit. Përgjatë kësaj vizite, u diskutua lidhur me ngritjen e kapaciteteve dhe formave konkrete të bashkëpunimit në fusha të rëndësishme, siç janë administrata dhe financat lokale, përmes ofrimit të trajnimeve specifike në fushën e politikave publike.

Krejt në fund, Drejtori Tahiri dhe Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm Drimmel u dakorduan të shohin përpara në fushat e bashkëpunimit duke paralajmëruar një vizitë të delegacionit Austriak në Kosovë./InfoKomuna/