KQZ-ja ende s’ka marrë asnjë aplikacion për kryetar të Podujevës

PodujevëPostuar: 13:31 / 14.02.2020

Ndonëse deri te hënën subjektet politike në Podujevë kanë të drejtë për të dërguar aplikacionet për kandidatët e propozuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë, Yll Buleshkaj nga Sekretariati ka thënë se në sekretariat nuk ka arritur asnjë aplikacion për kandidatë.

KQZ këtë të premte ka miratuar mjetet nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike për muajin shkurt.

Kryetarja e KQZ Valdete Daka ka thënë se deri në miratimin e buxhetit të shtetit KQZ do të ndajë çdo muaj fondet për subjektet politike, raporton KTV.

KQZ gjithashtu ka marr vendim që të dërgojë dy anëtarë të stafit të saj për zgjedhjet në Korenë e Jugut që do të mbahen në muajin prill.

Valmir Elezi zëdhënësi i KQZ dhe Ibrahim Selmanaj do të shkojnë si vëzhgues në këto zgjedhje. 

Drejtuesit e partive politike në Podujevë ditë më parë kanë theksuar për InfoKomunën se ende nuk kanë vendosur se kush do t’i prijë fushatës për të qenë në krye të komunës.

Vezir Januzi nga radhët e LDK-së, aktualisht Drejtor i Bujqësisë, ka thënë se ende nuk është vendosur se kush do t’i hyjë garës.

“Ende nuk dihet do të jetë për kandidat. Por, pas mbajtjes së takimit në degën e LDK-së do të caktohet se kush do t’i hyjë garës për kryetar të Komunës së Podujevës”, ka thënë ai për InfoKomunën.

Kryetarja e Degës së AAK-së në Podujevë, Mrika Thaçi, ka thënë për InfoKomunën se ende nuk kanë diskutuar në strukturat e AAK-së lidhur me kandidatin për kryetar të Komunës së Podujevës.

“Nuk kemi biseduar për këtë çështje. Ende nuk ka asgjë konkretë sa i përket kandidatit për kryetar të komunës nga radhët e AAK-së. Kjo çështje do të diskutohet në strukturat e Aleancës ku edhe do të vendoset për kandidatin”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryetari i Degës së PDK-së në Podujevë, Naim Fetahu, ka theksuar se së shpejti PDK në Podujevë do ta diskutojë se kush do të jetë kandidatë nga ky subjekt politik në Podujevë.

“Së shpejti do ta diskutojmë me strukturën tonë në Podujevë. Takimi do të ndodhë shumë shpejt dhe do të ulemi e do ta diskutojmë me strukturën tonë për kandidatin në Podujevë”, ka thënë ai.

Komuna e Podujevës do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për të zgjedhur kryetarin e ri, pasi që Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020.

Fushata zgjedhore për të parin e Podujevës do të zgjasë 11 ditë, duke filluar nga 3 deri më 13 mars.