Fillon ndërtimi i rrugës në Gollubovc të Malishevës

MalishevëPostuar: 14:12 / 06.11.2017

Këto ditë ka filluar rregullimi i rrugës brenda fshatit Gollubovc. Ky fshat është njëri prej fshatrave më të thella në Komunën e Malishevës, ndërsa infrastruktura e përgjithshme, sikur edhe në vendbanimet tjera, është duke u rregulluar edhe në Gollubovc, në mënyrë që banorët e këtij fshati, të kenë më të lehtë lëvizjen brenda fshatit, si dhe lidhjen me rrugët kryesore drejt qendrës komunale dhe qyteteve tjera.

Punimet në këtë rrugë, sot i ka parë nga afër edhe drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina, i cili, gjatë ditës së sotme, i ka inspektuar punimet në rregullimin e bazës për asfaltimin e kësaj rruge. “Edhe kjo rrugë, është pjesë e projekteve tona të miratuara në Kuvendin e Komunës, e që lidhen me rregullimin e infrastrukturës së përgjithshme në fshatrat e Komunës e Malishevës”, tha Morina. “Pavarësisht largësisë dhe konfiguracionit që kanë fshatrat, ne i trajtojmë të gjitha në mënyrë të barabartë dhe investimet orientohen njëjtë për të gjitha fshatrat pa dallime”, tha drejtori i urbanizmit Ahmet Morina.

Në këtë fshat është ndërtuar shkolla e re për nxënësit e fshatit, është ndërtuar kanalizimi në shumicën e fshatit, ndërsa edhe rrugët kanë qenë të asfaltuara, kurse rruga që ka filluar tani, ka rëndësi të madhe për tërë fshatin, pasi tashmë, po thuajse të gjitha shtëpitë kanë qasje në rrugën në kryesore.