Komuna e Malishevës informohet me programin e organizatës gjermane "HELP"

MalishevëPostuar: 14:38 / 21.02.2018

Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe shefja e kabinetit të kryetarit, Blerta Krasniqi, kanë pritur sot në takim Shqipe Breznicën, koordinatore e programit të organizatës gjermane "HELP", program i cili financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe ka për qëllim përkrahjen e mikro bizneseve në bashkëfinancim me komunën.

Nënkryetari Berisha ka shprehur gatishmërinë e komunës, në përkrahje të këtij projekti, domethënës për bizneset e vogla, pasi përmes këtij programi, i ndihmojnë edhe bizneset e vogla, të cilat në realitet edhe hapin vende pune.

Ndërsa Blerta Krasniqi, e ka informuar me fushat të cilat mund të përkrahen, duke u bazuar në fushën e përkrahjes që jep ky program.

Koordinatorja e programit  "Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor", Shqipe Breznica, ka thënë se qëllimi i këtij projekti është ngritja e kapaciteteve të grupeve të cenueshme në sferën ekonomike dhe shoqërore, në mënyrë që t'iu krijohen mundësitë për pjesëmarrje aktive në shoqëri.

Përmes këtij programi, planifikohet të jepen grante në biznese të vogla, trajnime për biznese dhe trajnime profesionale si dhe mbështetje iniciativave sipërmarrëse të komunitetit. /InfoKomuna/