Komuna e Malishevës miraton buxhetin 14 milionësh për vitin 2018

MalishevëPostuar: 15:40 / 20.09.2017

Kuvendi i Komunës së Malishevës me shumicë të votave ka miratuar projekt-buxhetin 2018-2020, me theks të veçantë buxhetin për vitin 2018, ku përfshihen edhe investimet kapitale, transmeton InfoKomuna

Buxhetin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës, e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi, i cili ka sqaruar edhe mënyrën e hartimit të projekt buxhetit, si dhe mënyrën e hartimit të listës së projekteve për vitet në vijim, listë e cila është përpiluar, duke u bazuar në kërkesat dhe nevojat e banorëve të Komunës së Malishevës.

Buxheti për vitin 2018, do të jetë afër 14 milionë euro (13 822 807 €), kurse buxheti për investime kapitale për vitin 2018, është 4 milionë e 392 mijë e 811 euro.

Përndryshe, mbledhja e sotme, shënon edhe mbledhjen e fundit të kësaj përbërje të Kuvendit të Komunës, dhe me këtë rast, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, i ka përshëndetur edhe Kryetari i Komunës, Ragip Begaj, i cili i ka falënderuar për bashkëpunim katërvjeçar, duke e vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Malishevës.

Edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, në fund të mbledhjes së sotme, i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Kuvendit të Komunës, për kontributin e tyre, që kanë dhënë gjatë këtyre katër viteve. /InfoKomuna/