Kujtohen viktimat e trazirave të marsit

Mitrovica Ver.Postuar: 19:56 / 17.03.2017

Serbët janë të vendosur të qëndrojnë në Kosovë. Ky ishte mesazhi që përcollën sot familjarët e të vrarëve serbë në trazirat e marsit 2004 dhe të afërmit e tyre, përfaqësues të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, dhe përfaqësues tjerë politik serbë, të përfaqësuar edhe në institucionet e Kosovës, shkruan InfoKomuna.

Lubomir Mariq, Këshilltari i Drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, tha se populli serb është i vendosur për të mbijetuar në Kosovë, “pavarësisht dëshirës së disave për t’i mohuar atyre këtë të drejtë.”
"Ishte një kohë e vështirë, nuk ishte e lehtë. Sot, ne jemi më të bashkuar se kurrë, ne kemi mbështetjen e hapur të shtetit të Serbisë, " është shprehur Maric, shkruan InfoKomuna.
Në mesin e dhjetëra të pranishmëve ishin edhe kryetari paralel i Mitrovicës, Aleksandar Spiric, shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, dhe Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq.
Në këto trazira ishin vrarë 21 civilë, 950 janë lënduar dhe 4.000 janë dëbuar. Janë rrënuar më shumë se 900 objekte, në mesin e të cilëve 35 kisha dhe manastire serbe.
/InfoKomuna/