AKR dhe NISMA nënshkruajnë marrëveshje për koalicion qeverisës në Mitrovicë

MitrovicëPostuar: 12:48 / 02.11.2017

Kandidati i AKR-së për kryetar komune dhe njëherësh kryetar i degës së kësaj partie në Mitrovicë, Agim Bahtiri dhe kryetari i degës së NISMA për Kosovën në Mitrovicë, Hysni Ahmeti, nënshkruan sot marrëveshjen për koalicion qeverisës në mandatin e ardhshëm 2017-2021.

Në njoftim thuhet se kjo marrëveshje është e bazuar në vullnetin demokratik të qytetarëve të Mitrovicës, të shprehur në zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe obligimin e ndërtimit të një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

“Po ashtu kjo marrëveshje koalicioni ndërmjet AKR-së dhe NISMA-s bazohet në programin qeverisës të kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri”, thuhet në njoftim.

“Me këtë marrëveshje NISMA për Kosovën zotohet se do të bëjë mobilizimin e përgjithshëm të strukturave partiake, duke siguruar mbështetje maksimale për kryetarin Agim Bahtiri. Pas arritjes së marrëveshjes kryetari Agim Bahtiri tha se ai do të fitoj bindshëm në zgjedhjet e balotazhit të 19 nëntorit, duke e vulosur kështu përfundimisht qeverisjen me duar të pastra edhe për katër vitet e ardhshme në komunën e Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Bahtiri ka bërë të ditur se ditëve vijuese do të ketë edhe marrëveshje tjera.

Edhe kryetari i NISMA për Kosovën, Hysni Ahmeti, e vlerësoi pozitive marrëveshjen e arritur mes AKR-së dhe NISMA-s, duke thënë se më 19 nëntor kandidati i koalicionit, Agim Bahtiri, do të dalë fitues dhe do të bashkëqeverisin së bashku në katër vitet e ardhshme.