Miratohet Propozim-vendimi për ndryshim të pjesshëm për emërtim dhe riemërtim të rrugëve

MitrovicëPostuar: 13:41 / 31.08.2017

Nën drejtimin e kryesuesit, Bislim Imeri dhe në prani të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe bashkëpunëtorëve të tij, është mbajtur mbledhja e 46-të e rregullt e Kuvendit të Komunës, në të cilën u shqyrtuan disa pika të rendit të ditës, që më parë kishin qenë temë diskutimi në mbledhjen e KPF.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Komunës, Brahim Bala është emëruar anëtar i Kuvendit Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Jugut, nga subjekti politik “Aleanca Kosova e RE”- AKR duke e zëvendësuar anëtarin e Kuvendit Komunal z.Nusret Qubreli.
Gjatë betimit të tij z. Bala është betuar se detyrën e ti do ta kryej me nder dhe besnikëri të lartë.

Në këtë seancë është miratuar në parim Propozim-vendimi për ndryshim të pjesshëm të Vendimit të Kuvendit të Komunës nr. 02/06-21821/10 të dt. 26.02.2015. Për emërtim dhe riemërtim të rrugëve lokale të Komunës së Mitrovicës dhe emërtimi i deritanishëm i rrugës “Liqeni” të zëvendësohet me emërtimin Dr.”Bajram Rexhepi” ish Kryeministër ne Qeverinë e parë të Republikës së Kosovës.

Ndërsa pika e katër e rendit të ditës; Plani Lokal për Mbeturina Inerte nga ndërtimi dhe prishjet në Komunën e Mitrovicës nuk mori miratimin e plote nga anëtaret e Kuvendit.

Anëtarët ne seancën e sotme kanë diskutuar edhe pikat e fundit të rendit të ditës; Raportin nga dëgjimet buxhetore me qytetarë lidhur me planifikimin e buxhetit të vitit 2018-2020; Raportin financiar për realizimin e buxhetit komunal janar - qershor 2017; Raportin e përfundimit të vitit mësimor 2016/17 dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2017/18; Raportin e Auditimit për raportin financiar vjetor të Komunës së Mitrovicës për vitin 2016.
/InfoKomuna/