Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë bëhet me ndërtesa të reja
Kompleksi i ndërtesave në ndërtim i Universitetit “Isa Boletini“ të Mitrovicës, është vizituar nga zëvendësministri i Ministrisë së Administratës Publike, Sami Hajdaraj, me bashkëpunëtorë. Në këtë kompleks, që konsiderohet njëri prej projekteve më kapitale të Republikës së Kosovës, i viteve të fundit, ka nisur të ndërtohet në vitin 2014.
Deri tash, punimet kanë shënuar një përparim në harmoni me dinamikën e paraparë. Sipas asaj, që u pa në terren, tash për tash, punimet kanë përfunduar në ndërtesat e Rektoratit dhe në atë të Fakultetit Xehtar-Metalurgjik, të cilat pritet të përurohet së shpejti dhe t’i dorëzohen këtij universiteti në përdorim.
Ndërtesa e Rektoratit ka një sipërfaqe 3700 metra katrorë, kurse ajo e Fakultetit Xehtar-Metalurgjik, 17 mijë metra katrorë. Me intensitet të madh është duke u punuar edhe në ndërtimin e ndërtesës së Fakultetit të Shkencave të Aplikuara, ku mund të konstatohet se është kryer një shkallë e lartë e punimeve të vrazhda.
Me këto ndërtesa, Universitetit “Isa Boletini” do t’i krijohen kushte shumë të volitshme për punë, për faktin se ndërtesat, që priten të përurohen, tash për tash, ajo e Rektoratit dhe FXM-së, janë të pajisura me pajime e pajisje bashkëkohore për mësim akademik, por edhe kanë hapësira të nevojshme, për zhvillimin e proceseve mësimore. /InfoKomuna/