Njihuni me kandidatët për kryetar të Podujevës

PodujevëPostuar: 13:25 / 23.09.2017

Kandidatët për kryetar të komunave tashmë janë publik, ku edhe ka filluar fushata elektorale e zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Këta janë kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, të cilët tashmë kërkojnë voten e qytetarëve të kësaj komune.

Agim Veliu - LDK

Agim Veliu, kandidat nga LDK-ja, aktualisht është kryetar i Komunës së Podujevës dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Është një ndër themeluesit e Degës së LDK-së në Podujevë, ku edhe ka mbajtur poste që nga viti 1990. Ka qenë kryetar i Kuvendit të Komunës së Podujevës, ish-ministër i Arsimit dhe deputet i Kuvendit të Kosoëvs. Në programin e tij qeverisës për Podujevën ai ka planifikuar që shumicën e buxhetit të ndarë për Komunën do ta shpenzojë në investime kapitale. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë, duke filluar nga hartimi i planeve të hollësishme urbane, përfundimi i hartës zonale të komunës, fillimi i ndërtimit të rrugës që është në anën perendimore të Llapit -një rrugë e re. Prioritet është përfundimi i kolektorëve të ujërave të zeza dhe kolektorit kryesor. Trajtimi i ujërave të zeza përmes partneritetit Komunë-Qeveri-donatorë.

Pastaj, është përmendur si prioritet edhe zgjerimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik, sigurimi i ujit të pijes për fshatin Orllan. Zgjerimi dhe vazhdimi i shtratit të lumit Llap, dhe lumenjve të tjerë, ndriçimi i Bulevardit dhe dy shesheve në qytet. Zgjerimi i rrugëve ekzistuese “Skenderbeu”, “Zahir Pajaziti” dhe “Gjemajl Mustafa” me tërë infsraturkurën përcjellëse. E kemi futur në pritore edhe ndërtimin e një parkingu kryesor në qytet. Edhe në arsim i kemi dy projekte, përfundimi i objektit të ri të shkollës në Llapashticë të Poshtme, dhe ndërtimi i Shkollës së re “Kadriu Kadriu” në Llaushë të Poshtme. Prioritet e kemi edhe ndërtimin e palestrës së sporteve të qytetit. Po ashtu, në shëndetësi projekt të madh e kemi edhe funksionalizimin e spitalit të përgjithshëm Podujevë.

Hajredin Hyseni - PDK

Hajredin Hyseni, kandidat nga PDK-ja, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në dy periudha legjislative. Ka qenë edhe zëvendës ministër i Administratatës Publike, si dhe i Shëndetësisë. Ai ka thënë se programi i tij qeverisës për Podujevën bazohet në 5 shtylla. Ai ka thënë se Podujeva është qeverisur keq, pa meritokraci, dhe është politizuar arsimi e shëndetësia. Hyseni thotë se do të sjell krejt frymë të re të qeverisjes.

“Oferta ime për qytetarët, në parim, do të mbështetet në garantimin e një qeverisje me zbatim të plotë të ligjit, me ekip të njerëzve të dëshmuar me përvojë e suksese të larta në karrierat e tyre, në depolitizim të plotë të institucioneve që japin shërbime për qytetarët, formulim të politikave dhe planeve investive në përputhje me qasje strategjike zhvillimore, vlerësim të kuadrove nëpër institucionet e komunës etj”, ka thënë Hyseni.

Ai ka shtuar se programi i PDK-së reflekton në radhë të parë përmirësimin e ofrimit të shërbimeve në fushat ku janë vërejtur dështimet. Konkretisht, duam të sigurojmë qytetarët se pas marrjes së mandatit tonë, secili që do të marrë shërbime në Qendrat e Mjekësisë Familjare, në shkolla, zyrat e shërbimeve të ndryshme administrative komunale etj do të përballet me një përmirësim të ndjeshëm dhe të prekshëm të shërbimeve dhe kujdesit ndaj qytetarëve. Përveç kësaj, ne kemi përcaktuar edhe objektivat që reflektojnë nevojat zhvillimore të Podujevës. Programi im fokusohet në 5 shtylla për të cilat ne do të japim zotime para qytetarëve ditëve në vazhdim. Ndërsa, kemi identifikuar 3 prioritetet kryesore që kanë nevojë urgjente të ndërhyjmë dhe që do t’i kemi në vëmendje të plotë. Prioritet i parë është ndryshimi i qasjes dhe i praktikave të administrimit në arsimin parauniversitar, konkretisht, rikthimin e cilësisë në shkollat e Podujevës.

Prioriteti im i dytë do të jetë reformimi emergjent i administrimit të sektorit të bujqësisë duke ndërmarrë nismat adekuate për të rritur buxhetin, duke siguruar transparencë të plotë në ndarjen dhe administrimin e subvencionimit të bujqve, si dhe duke angazhuar juristë dhe avokatë të shquar që do të shqyrtojnë zhbërjen e marrëveshjeve të kundërligjshme të diktimit të çmimeve të tregut të cilat kanë dëmtuar prodhuesit dhe kultivuesit.

Ndër prioritetet kryesore, me vëmendje të plotë e fokusim të kapaciteteve qeverisëse është edhe fusha e punësimit, sidomos të të rinjve dhe femrave.

“Asgjë nuk kemi thënë që s’mund të realizohet bazuar në kompetenca dhe burime financiare të qasshme për Komunën. Kemi propozuar dhe do të propozojmë masa që janë të matshme dhe konkrete “, ka thënë Hyseni.

Fatmir Humolli - AAK

Fatmir Humolli, është kandidatë i AAK-së për kryetar të Podujevës. Por , nuk ka vënë asnjë informatë rreth biografisë së tij, sa në faqen zyrtare si kandidat. Ai është ish-luftërar i UÇK-së, dhe familjar i dy dëshmorëve, Ylfete Humolli dhe Mentor Humolli, i vrarë në Koshare.

Ai ka thënë në rrugëtimin e përbashkët me AAK-së po synojnë një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Shtyllat e qeverisjes së programit të Aleancës për Podujevën janë brengat dhe pritjet e qytetarëve për një jetë më dinjitoze dhe një mirëqenie më të madhe. Këto parime bazë të vizionit tim pasqyrojnë mundësitë reale të administratës komunale në çështjet që bien brenda domenit të saj, ka thënë Humolli.
Ai ka theksuar se i gjithë programi i Aleancës për Podujevën ka si pikë referimi, transparencën dhe llogaridhënien e atyre që qeverisin para qytetarëve të cilët u kanë dhënë besimin dhe para institucioneve respektive.
“Vizioni i një qeverisje ndryshe, i një programi për Podujevën, është i mbështetur në filozofinë politike të demokracisë lokale dhe pjesëmarrjes, konsultimit dhe veprimit në vazhdimësi të strukturave qeverisëse lokale, agjentëve ekonomik, social dhe kulturorë të prekur apo interesuar në zhvillimet komunale, strukturave tjera që përfaqësojnë zërin e artikuluar qytetar dhe para së gjithash, qytetarin si akter i ri dhe me rol direkt në politik-bërje dhe vendimmarrje komunale.
Bashkohuni në vizionin tim, për tu bërë pjesë e ndryshimeve të përbashkëta”, ka thënë Humolli.

Ajet Potera - Vetëvendosje

Ajet Potera, është kandidat nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Ka diplomuar në ekonomi dhe ka magjistruar në Universitetin e Tiranës, në Akademinë e Mbrojtjes. Është invalid i luftës. Ka shërbyer në TMK. Ka udhëhequr një biznes privat.Në betejën e Llapashticës ka qenë komandant i Batalionit të pare, të Brigadës 151 "Zahir Pajaziti". Ai ka thënë se i ka vënë 23 23 prioritete në programin e tij qeverisës për Podujevën, të vëna kryesisht në fushën e Arsimit, Shëndetësisë dhe Bujqësisë.

Në arsim, do punohet në depolitizimin e tij, në rritjen e cilësisë, pasi që në shkolla të mesme nota mesatare është 2.1. Do të ndërtohen 3 çerdhe, shkolla te reja, shujta për nxënësit prej klasave 1-5. Kabinete dhe kënde leximi. Në shëndetësi do të investohet në infrastrukture të spitaleve, do të ketë mbështetje 100 euro për nënën që lindë një fëmijë dhe do të funksionaliziohen të gjitha qendrat e ndihmës së shpejtë, të cilat momentalisht punojnë me vetëm një ndërrim.

Në Bujqësi, do të rriten subvencionet për kultivuesit e mjedrës dhe produkteve të tjera bujqësore, do të rritet transparenca në ndarjen e subvencioneve dhe do të krijohen dhe një tregu bashkëkohor për prodhuesit vendor. Do të bëhet ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe ruajtja e tokës bujqësore, si dhe do të bëhet këshillimi profesional i bujqve në terren, ka thënë Potera.

Xhemajl Hasani - Nisma për Kosovën

Xhemajl Hasani, është kandidat nga Partia “Nisma për Kosovën”, e cila si parti për herë të parë ka vënë një kandidat për këtë Komunë, ndonëse edhe vetë është parti relativisht e re në jetën politike në Kosovë. Në profilin e tij zyrtar si kandidat thuhet se ai ka studiuar “Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci” në Kolegjin “Iliria”. Dhe jeton në Podujevë. Hasani dhe partia e tij, nuk u janë përgjegj kërkesave të gazetës për të publikuar më shumë nga biografia e tij, apo nga programi i tij qeverisës për Podujevën.


Xhevdet Maloku - Partia "Fjala"

Xhevdet Maloku, është kandidat nga Partia “Fjala”. Ka lindur në fshatin Lluzhan, por pastaj është shpëngulur me familje në Gjermani, ku ka jetuar deri në moshën nëntë vjeçare. Ka kryer studime të Master-it në Ekonomi. Ka punuar 4 vite në një kompani zvicrane në telekomunikacion në Departamentin e shërbimeve me klient, dhe në Ministrinë e Financave. Ai ka thënë se synon ta depolizitohjë arsimin në Podujevë. Ka planifikuar ndërtimin e një Qendre Pedagogjike për trajtimin e fëmijëve me Autizem, sindromin Doën dhe fëmijët e tjerë me nevoja të veçanta, etj. Në Shëndetësi, i ka vënë prioritet funksionalizimit të QMF për të shërbyer 24h në këto qendra: Lluzhan, Kerpimeh dhe Orllan, si dhe funksionalizimit të shërbimeve të Maternitetit 24h. Në ekonomi, ka thënë se do të punojë në subvencionimin në mënyrë të barabartë pa ndarje partiake për të gjithë fermerët llapjan. Si dhe do të punojë për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e çajrave, një tjetër për prodhimin e produkteve të qumështit, etj. Në infrastrukturë ka thënë se trotuaret do të bëhen të shfrytëzueshme edhe për personat me nevoja të veçanta, do të bëhet rregullimi i kanalizimit të fshatrave për të mos u derdhur në lumë. Do të bëhet pastrimi dhe rregullimi i lumit Llap. Ndriçimi publik në fshatrat: Lluzhan, Majac, Gerdofc, Batllave, Bradash, Llapashtice, etj. Asfaltimi i rrugëve të paasfaltuara,dhe shtrimi i trotuareve, etje. Ai ka thënë se do të investojë edhe në sektorin e rinisë, sporti dhe kulturës .